Lidhje

Vazhdon bombardimi i qyteteve të mëdha në Ukrainë


Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës hyri sot në javën e tij të katërt. Forcat ushtarake ruse ndodhen të bllokuara kryesisht jashtë qyteteve të mëdha dhe vazhdojnë t’i bombardojnë ato nga distanca, duke shkaktuar një numër të madh viktimash.

Në qytetin jugor të rrethuar të Mariupolit, vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e një teatri i cili u sulmua të mërkurën nga ajri nga forcat ushtarake ruse. Godina, ku ishin strehuar me qindra njerëz u shkatërrua plotësisht sipas zyrtarëve ukrainas. Autoritet lokale njoftuan sot për të mbijetuar, duke shtuar se numri i viktimave mbetet ende i paqartë.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e cilësoi sulmin një krim të tmerrshëm lufte. Disa imazhe satelitore të kompanisë amerikane të teknologjisë hapësinore ‘Maxar’ tregonin se në dy anë të godinës, para dhe pas saj, ishte shkruar me gërma të mëdha në rusisht fjala fëmijë, duke nënkuptuar se në godinë strehoheshin fëmijë.

Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi të mërkurën të ketë bombarduar ndonjë objektiv në Mariupol.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara më shumë se 3 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga vendi për shkak të luftës. Numri i persona që kanë humbur jetën që nga fillimi i agresionit rus mbetet ende i paqartë, por autoritetet Ukrainase kanë thënë se kanë vdekur me mijëra civilë.

XS
SM
MD
LG