Pas sulmit rus disa miliona ukrainas janë larguar nga vendi i tyre, kryesisht përmes Polonisë, por edhe drejt Hungarisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Moldavisë.
Një delegacion i NATO-s mbërrin në kufirin e Ukrainës për të vëzhguar situatën. Lufta është larg prej kësaj zone por tensionet janë të pranishme.
Hungaria kufizohet në perëndim me Ukrainën. Falë terrenit malor të Maleve Karpate, kjo zonë i ka ndarë ukrainasit nga tmerret e sulmit rus në lindje të vendit.
Në kufirin hungarez Tiszabecs, rradhët e atyre që po largohen nga konflikti janë të gjata, por disa po lëvizin në drejtim të kundërt dhe po kthehen në Ukrainë.
Refugjatja 67-vjeçare Valeria tregon për Zërin e Amerikës se po kthehet në Ukrainë pasi ka blerë disa gjëra në Hungari.
“Jam nga fshati Bökény, 5 km nga kufiri. Falë Zotit asgjë nuk ka ndodhur këtu, por lart në Kiev, Kherson, njoftohet për katastrofa. Televizoni tregon tmerret që po ndodhin atje. Erdhëm në Hungari për të blerë disa gjëra dhe po kthehemi në Ukranë. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë nga një ditë tek tjetra.”
Rritja e çmimeve dhe furnizimet e paparashikueshme kanë detyruar shumë ukrainas pranë kufirit që të udhëtojnë shpesh drejt Hungarisë.
Duke kujtuar të kaluarën, Etel që u largua nga shtëpia e saj në Ukrainë, thotë për Zërin e Amerikës se makthi kaploi me shpejtësi jetën në vendin e saj.
“Ne vijmë çdo ditë për të blerë diçka për të ngrënë. Lufta ende nuk ka ardhur tek ne, por na ka kapluar frika për mbijetesën. Nuk mund të flemë, të pushojmë, nuk mund të jetojmë normalisht. Ata na kanë marrë gjithçka, jetojmë të frikësuar. Gjatë periudhës sovjetike, rusët dhe ukrainasit ishin së bashku, jetonim të lumtur, pse nuk janë në gjendje ta zgjidhin këtë problem?”
Pas sulmit të parë, shumë banorë të zonës kufitare u larguan menjëherë nga Ukraina, nga frika se mund të bllokoheshin pas frontit të armikut. Tani, shumë prej tyre kanë vendosur të kthehen.
Éva, një nënë 38-vjeçare që jeton pranë kufirit hungarez, thotë për Zërin e Amerikës se ajo kishte shkuar tek burri që punonte në Hungari por tani ata duhet të kthehen.
“Frika na detyroi që të largoheshim nga Ukraina dhe kaluam dy javë në Hungari me burrin dhe djalin. Tani po kthehemi sepse jetët tona janë atje, shtëpitë, lëndinat dhe bagëtitë. Fqinjët u kujdesen për to, por druhem se përsëri do ta lëmë Ukrainën. Kthimi në vendin tonë është i domosdoshëm, dhe do të lëvizim drejt Hungarisë derisa të jetë e mundur.”
Vladyslav, një gazetar sportiv 23-vjeçar, vendosi të kthehej për të luftuar në Ukrainë.
“Duhet të kthehem në shtëpi. I shkrova babait tim dhe i kërkova të më presë që të shkojmë në luftë së bashku. Jam gati dhe e di që nuk do të vdes, sepse e vërteta qëndron në anën time, në anën e ukrainasve.”
Olga Keretsenan la punën në Gjermani dhe thotë se po kthehet në Uzhhorod, qyteti më i madh në rajon. Ajo kërkon ndihmë nga Perëndimi.
“Jam e shqetësuar se shtëpia ime do të zaptohet nga rusët. Putini është Hitleri i dytë. Ne do të fitojmë, por ju duhet të ndihmoni, përndryshe ai do të jetë këtu brenda një gjysmë viti!”
Ndërsa vazhdon sulmi rus, miliona njerëz janë shpërngulur, të pasigurtë rreth asaj që vjen më pas.