Lidhje

Kandidatja për Gjykatën e Lartë mbron të kaluarën e saj, zotohet të jetë e paanshme


Kandidatja e Presidentit Joe Biden për Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, Ketanji Brown Jackson.

Kandidatja e Presidentit Joe Biden për Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, Ketanji Brown Jackson, u përball me pyetje intensive në ditën e dytë të seancave dëgjimore para Komisionit Juridik të Senatit. Gruaja e parë afrikano-amerikane që kandidon për postin e përjetshëm u pyet në lidhje me të kaluarën e saj dhe se çfarë qasje do të ketë në rolin e anëtares së Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Gruaja e parë afrikano-amerikane kandidate për Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, Ketanji Brown Jackson, u tha senatorëve se nëse konfirmohet ajo do të jetë e paanshme.

Jam tejet e vetëdijshme se si gjyqtare kam pushtet të kufizuar. Në çdo çështje përpiqem të zbatoj ligjin.”

51-vjeçarja Jackson është gjithashtu kadidatja e parë në disa dekada me përvojë si avokate për çështje kriminale. Ajo u pyet intensivisht nga republikanët lidhur me periudhën kur ajo ishte avokate për të ndaluarit në burgun e Guantanamos pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

“Nuk mendoj se është e nevojshme ta quash qeverinë kriminel lufte gjatë procesit të mbrojtes së një terroristi. E tejkalon cakun”, tha Senatori republikan Lindsey Graham duke iu referuar kohës kur zonja Jackson përfaqësonte të ndaluarit në Guantanamo.

Zonja Jackson sqaroi se ajo po luante një rol kyç në sistemin amerikan të drejtësisë, që ofron përfaqësim ligjor për të gjithë të pandehurit.

“Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Jo vetëm sulmi, por as përdorimi i autoritetit ekzekutiv për të ndaluar njerëzit në këtë mënyrë. E gjithë liria jonë është në rrezik nëse ekzekutivi shkel ligjin”, tha zonja Jackson.

Demokratët vlerësuan kandidaten e Presidentit Biden lidhur me përvojën e saj të gjerë ligjore dhe perspektivën historike që ajo do të sjellë në gjykatë.

"Askush nuk vë në dyshim kredencialet tuaja akademike, punën tuaj si ndihmës gjyqtare dhe si gjykatëse federale”, tha Senatori demokrat Dick Durbin.

Kritikët thonë se e kaluara e saj si gjykatëse tregon se ajo anon kundër zbatuesve të ligjit. Senatori demokrat Patrik Leahy e pyeti kandidaten lidhur me këtë akuzë.

“Si u përgjigjeni njerëzve që thonë se jeni e butë ndaj krimit?”

“Si dikush që kam pasur anëtarë të familjes në patrullë dhe në vijë të zjarrit, jam shumë e shqetësuar për sigurinë publike. E di ndjesinë kur njerëzit tuaj të dashur veshin uniformën për të shërbyer, dhe frika e mos dijes nëse ata do të kthehen përsëri gjallë në shtëpi si rezultat i krimit në komunitet”, u përgjigj kandidatja për Gjykatën e Lartë.

Kandidatura e zonjës Jackson pritet të kalojë në komision pa mbështetjen e asnjë republikani, të cilët janë të shqetësuar se ajo do të jetë një gjykatëse aktiviste për çështjet sociale, si të drejtat e abortit dhe kontrolli i armëve.

“Mbrotjet që ofron Amendamenti i Parë a zbatohen në mënyrë të barabartë për protestuesit konservatorë dhe liberalë?”, shtroi pyetjen Senatori republikan Chuck Grassley.

“Po”, u përgjigj zonja Jackson.

“A besoni se e drejta individuale për armëmbajtje është një e drejtë themelore?", pyeti Senatori Grassley.

“Gjykata e Lartë e ka sqaruar se e drejta individuale për armëmbajtje është një e drejtë themelore”, reagoi zonja Jackson.

Javën e ardhshme pritet që Senati të zhvillojë një votim për konfirmimin e saj.

XS
SM
MD
LG