Lidhje

Vuçiç: Me vullnetin e Kurtit dhe mbështetësve të tij – Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përgatitet për “sulm mbi serbët” duke e akuzuar atë për pezullimin e një gjykatëseje serbe në veriun e Kosovës, për shkak të pjesëmarrjes së saj në një takim me presidentin serb, dy ditë më parë.

Komentet e tij pasuan vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për pezullimin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stefanoviç dhe themelimin e një grupi hetues për të, pasi ajo dhe mori pjesë në një takim politik me presidentin e Serbisë.

Presidenti serb tha se pezullimi është vendosur me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij, të premten, më 25 mars, pritet të shkarkojë “të gjithë komandantët dhe policët serbë” që morën pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë që u mbajt në Beograd më 22 mars.

“Albin Kurti e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe sipas vullnetit të tij dhe atyre që e mbrojnë, Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, tha presidenti serb në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.

“Është ai që me këto vendime dëshiron të sulmojë popullin serb kudo që jeton”, tha presidenti serb duke theksuar se Serbia dëshiron ta ruajë paqen dhe se do t’i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare, por do të qëndrojë përkrah serbëve të Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, shkroi në rrjetet sociale se “Kryetarja dhe gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Mitrovicë e kanë për obligim të veprojnë vetëm në përputhje ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi dhe jo të tallen me institucionet. Çfarëdo veprimi sikur ai në takim me Vuqiq është shkelje dhe cenon integritetin e sistemit gjyqësor”, duke shprehur mbështetjen për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Më 22 mars, presidenti i Serbisë priti në takim përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për të diskutuar për moslejimin që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit të mbahen në Kosovë. Pas atij takimi, u paralajmëruan protesta të serbëve të Kosovës për të premten.

Në takim morën pjesë edhe oficerë serbë të policisë së Kosovës nga veriu i saj. Në krah të presidentit serb ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç, ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione në dhjetor të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës tha se nuk ka arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, meqë Beogradi refuzoi që qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë qeverisë së Kosovës. Presidenti serb tha se Kosova synoi që përmes zgjedhjeve të sigurojë njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia.

Presidenti serb vendosi që serbët e Kosovës të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në disa komuna në jug të Serbisë.

Diplomatët perëndimor shprehën keqardhjen me vendimin e Kosovës ndërsa bënë thirrje që palët të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të punojnë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshje normalizimi.

XS
SM
MD
LG