Lidhje

Diplomatët perëndimorë të zhgënjyer për moslejimin e zgjedhjeve te Serbisë në Kosovë


Qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe shprehën të mërkurën keqardhjen për “vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga diplomatët perëndimor”, për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë të zhgënjyer për moslejimin e zgjedhjeve te Serbisë në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Në një komunikatë të përbashkët thuhet se është e drejtë e qeverisë së Kosovës që të vendos nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. “Ndërsa ne vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga vendet e ‘Quintit’. Me këtë vendim, qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, thuhet në komunikatë, në të cilën nënvizohet se “një qëndrim i tillë i qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet e vendeve perëndimore dhe do të cenojë aspiratat e saj evropiane”.

Diplomatët thanë në komunikatë se pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, “ne mirëpritëm harmonizimin e Kosovës me deklaratat dhe qëndrimet e miratuara nga Bashkimi Evropian dhe Quinti. Megjithatë, Kosova pritet gjithashtu t’u përmbahet vlerave dhe përgjegjësive të saj thelbësore ndaj qëndrueshmërisë rajonale, të respektojë proceset demokratike, si dhe të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave”.

Diplomatët bën thirrje që qeveria e Kosovës të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë për uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa ritheksuan thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që rritë tensionet dhe mund të çojë në incidente.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha më herët gjatë ditës në një konferencë për gazetarë se qeveria e tij nuk ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Por e vërteta është se nuk ka marrëveshje paraprake që natyrisht paraqet kushtin për mbajtjen e atyre zgjedhjeve që nuk është plotësuar. Ne kemi pritur një shkëmbim normal të letrave, të kërkesës së tyre, të trajtimit tonë mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se nuk ka pranuar që një marrëveshje me Serbinë për organizimin e zgjedhjeve të bëhet përmes zyrtarëve ndërlidhës të të dyja palëve.

Unë jam i bindur që marrëveshja duhet të jetë përmes shkëmbimit të letrave të qeverisë së Serbisë me qeverinë e Kosovës, ne jemi instanca që jemi autoritetet e vendeve përkatëse dhe të cilët do të duhet të merreshin vesh në mënyrë që të zhvilloheshin ato zgjedhje. Kështu siç është, çështja ka marr një kahje tjetër. Ne kemi shprehur keqardhjen tonë por më shumë se kaq nuk kam çfarë të them”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha mbrëmë se autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë dhe se një kërkesë të tillë Serbia nuk ka mundur dhe nuk do ta pranojë asnjëherë.

Presidenti Vuçiç tha se serbët e Kosovës do të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, duke votuar në komunat në Serbinë qendrore.

Më 3 prill, Serbia mban zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale ndërsa synonte që në zgjedhje të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës.

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë në të kaluarën janë lehtësuar nga misioni i Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky mision në një përgjigje për Zërin e Amerikës tha se që nga viti 2002 ka bërë mbledhjen e votave për zgjedhjet serbe në Kosovë, të mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policia e Kosovës dhe KFOR-i dhe se kjo ka qenë gjithmonë e bazuar në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe pëlqimit të të gjitha institucioneve. Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer mbledhjen e votave me kusht që të plotësohet ky kusht”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.

Viteve të kaluara, Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e Serbisë, në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Në muajin janar qeveria e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e një referendumi të Serbisë në Kosovë, duke ofruar mundësinë që kjo të ndodhë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë, gjë që u refuzua nga Beogradi.

XS
SM
MD
LG