Lidhje

Blinken: SHBA nuk ka strategji për ndryshim regjimi në Rusi


Shtetet e Bashkuara nuk kanë një strategji për ndryshim regjimi në Rusi, u tha gazetarëve të dielën Sekretari i Shtetit Antony Blinken pasi presidenti Joe Biden tha një ditë më parë se Presidenti rus Vladimir Putin "nuk mund të qëndrojë në pushtet".

"Mendoj se Presidenti, Shtëpia e Bardhë thjesht theksuan se presidenti Putin nuk mund të mbështetet në luftën ose agresion kundër Ukrainës apo ndaj kujtdo tjetër," tha zoti Blinken në një konferencë shtypi gjatë një vizite në Jeruzalem.

"Siç e dini, dhe siç na keni dëgjuar të themi vazhdimisht, ne nuk kemi një strategji për ndryshim regjimi në Rusi apo kudo tjetër, për këtë çështje. Në këtë rast, si në çdo rast, varet nga populli i vendit në fjalë. Varet nga populli rus," tha Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken.

Në një fjalim gjatë udhëtimit të tij në Poloni, Presidenti amerikan Joe Biden tha se udhëheqësi rus Vladimir Putin "nuk mund të qëndrojë në pushtet", komente që një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë se kishin për qëllim të përgatisin demokracitë e botës për një konflikt të zgjeruar mbi Ukrainën dhe jo të mbështesnin ndryshimin e regjimit në Rusi.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i tha agjencisë Reuters pas komenteve të presidentit Biden se “nuk i takon Bidenit të vendosë. Presidenti i Rusisë zgjidhet nga rusët."

Presidenti francez Emmanuel Macron i tha kanalit televiziv France 3 të dielën: "Unë nuk do të përdorja këtë lloj formulimi sepse vazhdoj të bisedoj me Presidentin Putin."

E dërguara amerikane në NATO, Julianne Smith i tha CNN-it se komentet e zotit Biden ishin një reagim pas takimit me qindra refugjatë ukrainas.

"Mendoj se ishte një reagim njerëzor parimor ndaj historive që kishte dëgjuar gjatë ditës," tha zonja Smith. "Por jo, SHBA nuk ka një politikë për ndryshimin e regjimit në Rusi"

Komentet e presidentit amerikan në Varshavë erdhën menjëherë pas takimit me presidentin polak Andrzej Duda dhe zyrtarë të tjerë polakë për të diskutuar agresionin rus ndaj Ukrainës, pasi Rusia duket se e ka zhvendosur ofensivën e saj ushtarake nga kryeqyteti i Ukrainës, Kiev në lindje të vendit.

XS
SM
MD
LG