Lidhje

Refugjatët ukrainas mirëpresin mbështetjen e Presidentit Biden


Refugjatët duke kaluar pikën kufitare Medyka, në Poloninë juglindore (27 mars 2022)

Refugjatët ukrainas që mbërrinin në kufirin polak të dielën u pyetën për reagimet e tyre pas denoncimit të fortë dhe personal që Presidenti Joe Biden bëri në Poloni ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Refugjatët nga Ukraina e mirëpresin këtë mesazh të fortë.

Refugjatët ukrainas mirëpresin mbështetjen e Presidentit Biden
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Mesazhi i mbështetjes për Ukrainën dhe denoncimi i veprimeve të Presidentit rus Vladimir Putin u mirëpritën nga refugjatët ukrainas që po mbërrinin të dielën në Poloni.

“Jam dakort me Presidentin Biden, pasi Putini është një person i tmerrshëm; ai është një vrasës. Ky është fakt dhe një person i tillë nuk mund të drejtojë një vend, cilindo vend, në veçanti një vend të madh si Rusia. Ai po vret ukrainasit. Ai po vret popullin e tij. Prandaj mendoj që sa më shpejt të largohet, aq më mirë”, thotë Tatjana Kostiuk, studente nga Kievi.

Një tjetër studente, Marta, mendon se fatkeqësisht ai gëzon mbështetje nga shumica e popullit rus.

“Njerëzve në Rusi, shumicës së tyre, u pëlqen politika (e Putinit) dhe nuk duan që ai të largohen. Nuk e di se kur do të largohet nga posti. Ndoshta pas pesë vjetësh, nuk e di... Shpresoj të ndodhë së shpejti”, thotë Marta Michajiliszyn, studente 20-vjeçare nga Lvivi.

Ndërsa, Natalia mendon se Presidenti rus Putin po dëmton drejtpërsëdrejti edhe popullin rus.

“Për mendimin tim, ai (Putini) po bën diçka të tmerrshme jo vetëm ndaj neve, ukrainasve, por edhe ndaj popullit rus. Ai dhe komandantët e tij ushtarakë duhet ta braktisin idenë e rikrijimit të perandorisë ruse”, thotë Natalia Kostiuk, refugjate 45-vjeçare nga Kievi.

Presidenti Biden bëri një denoncim të fortë dhe personal ndaj presidentit rus të shtunën në Varshavë.

Pasi e quajti atë “kasap” gjatë një vizite në një qendër refugjatësh pasditen e së shtunës, Presidenti Biden tha më vonë në mbrëmje se “për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të vazhdojë në pushtet”.

“Jam shumë e kënaqur me fjalimin e Biden-it. Ai është nga të vetmit udhëheqës botërorë të interesuar për sigurinë tonë dhe sigurinë e Polonisë. Të gjithë udhëheqësit e tjerë, Gjermania, Franca, thonë një gjë dhe bëjnë diçka tjetër”, thotë Irena Kovalska, refugjate 60-vjeçare nga Lvivi.

Ky ishte sidoqoftë një përshkallëzim dramatik i retorikës dhe Shtëpia e Bardhë filloi të ndërmarrë me shpejtësi disa hapa pas. Ndërsa vazhdonte vizita në Poloni, ndihmësat e Shtëpisë së Bardhë qartësuan se Presidenti Biden nuk po bënte thirrje për një ndryshim të menjëhershëm të qeverisjes në Moskë.

XS
SM
MD
LG