Lidhje

Rusia vazhdon sulmet e ashpra ndaj Ukrainës


Lufta e paprovokuar e Rusisë ndaj Ukrainës ka hyrë në muajin e dytë. Deri tani më shumë se 10 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit apo larguar prej tij. Megjithëse Moska paralajmëroi se do të përqëndrohet në rajonet lindor të vendit, sulmet me artileri kanë vazhduar në të gjithë Ukrainën. Gjatë udhëtimit të tij në Evropë, Presidenti Joe Biden deklaroi se Presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të qëndrojë në pushtet, komente që më vonë zyrtarët amerikanë u detyruan t’i sqarojnë, duke thënë se Uashingtoni nuk po kërkonte ndryshim të regjimit në Rusi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi njofton.

Rusia vazhdon sulmet e ashpra ndaj Ukrainës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e dytë të saj dhe Rusia vazhdon të godasë me raketa qytete të ndryshme të Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se po qëllon mbi infrastrukturën e Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Por depozita karburanti në qytetit të Lvivit u përfshinë nga flakët pas goditjes nga raketat ruse.

Fjalimi i së shtunën në Varshavë i Presidentit Joe Biden u përqendrua tek sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë, sepse njerëzit e lirë refuzojnë të jetojnë në një botë të pashpresë dhe në errësirë. Ne do të kemi një të ardhme ndryshe, një të ardhme më të ndritur, të rrënjosur në demokraci e parime, shpresë dhe dritë, dinjitet e mundësi. Ky njeri (Putini) nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

Fjalimi i presidentit i dha fund një udhëtimi katër-ditor në Evropë, ku ai vizitoi trupat amerikane të dislokuara në Poloni si dhe refugjatët ukrainas që po qëndrojnë në këtë vend. Më vonë Shtëpia e Bardhë sqaroi komentet e Presidentit, të cilat nuk ishin të përfshira në fjalimin e përgatitur, duke thënë se zoti Biden nuk ishte për ndryshim të regjimit në Moskë. Kjo u bë e qartë edhe nga zyrtarë të tjerë amerikanë të dielën, të cilët nënvizuan se kjo nuk është politikë e Uashingtonit.

Sa herë që thuhet, ose edhe siç sugjeroi (presidenti), se jemi për ndryshim të regjimit, kjo do të shkaktonte një problem të madh. Kjo administratë ka bërë gjithçka që mundet për të mos lejuar përshkallëzimin e tensioneve. Dhe thirrjet për ndryshim regjimi janë maksimumi që mund të bëhet për t’i nxitur tensionet”, tha Senatori republikan James Risch.

Të tjerë thonë se vëmendja nuk duhet përqendruar tek komentet e Presidentit Biden për Vladimir Putinin, në fund të fjalimit të tij.

Kjo nuk duhet të errësojë një udhëtim jashtëzakonisht të rëndësishëm e të suksesshëm në Evropë. Një udhëtim që Shtetet e Bashkuara e kanë udhëhequr e drejtuar në mënyrë mbresëlënëse gjatë gjithë kësaj përpjekjeje, e cila u përmbyll me këtë fjalim. Padyshim që ishte një deklaratë shumë, shumë e fortë”, thotë Gjeneral David Petraeus, ish-drejtor i CIA-s.

Ndërsa sulmet e Moskës me artileri vazhdojnë, zonat e shkatërruara të banimit në periferi të Kievit janë mbushur me tym të dendur.

Të gjithë duhet të përqendrohen tek një qëllim, të sigurohemi që Ukraina është e aftë, e qëndrueshme financiarisht, për të rezistuar dhe për t’u mbrojtur derisa të arrihet një zgjidhja politike se si të rivendoset integriteti territorial i Ukrainës dhe paqja rreth Evropës”, thotë Olga Stefanishyna, zëvendëskryeministre e Ukrainës.

Gjatë një fjalimi Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy u bëri jehonë thirrjeve për më shumë tanke, automjete të blinduara dhe avionë. Ai e krahasoi sulmin e Rusisë me mënyrën se si nazistët u përpoqën të pushtonin Evropën 80 vjet më parë, duke shtuar se askush nuk do t'i falë ata.

XS
SM
MD
LG