Lidhje

Përfundojnë bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll 


Përfundoi në Stamboll takimi mes negociatorëve rusë dhe ukrainas, që synonte arritjen e një armëpushimi.

Bisedimet zgjatën rreth 4 orë. Është e paqartë nëse ato do të vazhdojnë nesër, për një ditë të dytë.

Një prej zyrtarëve ukrainas në bisedime tha sa duhet të vendoset paqja në gjithë territorin e Ukrainës, që një marrëveshje përfundimtare me Rusinë të hyjë në fuqi.

Zyrtari ukrainas shtoi se Kievi propozoi zhvillimin e konsultimeve me Rusinë për statusin e Krimesë, për 15 vitet e ardhshme.

Zyrtari ukrainas tha se tani ata janë në pritje të përgjigjes së Moskës. Kjo ishte hera e parë pas dy javësh që palët takohen ballë për ballë me njera-tjetrën.

Përfaqësuesi rus në bisedime Vladimir Medinski tha se ato ishin konstruktive, duke shtuar se do t'ia paraqesë Presidentit Putin, propozimet e palës ukrainase.

Pas bisedimeve, sipas zv/Ministrit rus të mbrojtjes Alexander Fomin, Rusia vendosi të ulë ndjeshëm aktivitetin ushtarak përreth Kievit dhe Chernivit. Zyrtari rus tha se vendimi merret për të krijuar besim reciprok dhe kushtet e nevojshme për bisedime të mëtejshme.

Garancitë në fushën e sigurisë dhe arritja e një armëpushimi për të lehtësuar problemet humanitare, ishin pjesë e diskutimeve, sipas një këshilltari të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmytri Peskov tha se deri të mërkurën do të bëhet e qartë në se bisedimet do të jenë premtuese.

Në takim është parë edhe miliarderi rus Roman Abramovich, i cili është vënë nën sanskione nga Perëndimi. Që nga fillimi i luftës, Abramovich duket se ka luajtur një rol ndërmjetësi.

Gjatë këtij muaji ai ka udhëtuar në Ukrainë, Rusi, Turqi dbe Izrael. Dy nga superjahtet e tij janë të ankoruara në ujrat turke. Prania e tij duket se ishte e papritur për të paktën një diplomat ukrainas. Moska thotë se ai nuk ishte atje për të negociuar, por si ndërmjetës mes dy palëve.

Turqia, anëtare e NATO-s, ndan kufi ujor si me Ukrainën edhe me Rusinë në Detin e Zi dhe ka marrëdhënie të mira me të dyja vendet dhe ka ofruar të ndërmjetësojë në konflikt.

Ndërsa e ka quajtur agresionin e Rusisë të papranueshëm, Ankaraja po ashtu i ka kundërshtuar sanksionet e Perëndimit.

Lajmi do të përditësohet së shpejti...

XS
SM
MD
LG