Lidhje

SHBA-ja i dhuron Kosovës 32 milionë dollarë për projekte zhvillimi


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe drejtorja e misionit të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Zeinah Salahi, nënshkruan të enjten një donacion prej rreth 32 milionë dollarësh për Kosovën, në kuadër të marrëveshjes për fondin për objektivat zhvillimore ndërmjet të dyja vendeve.

Marrëveshja fillestare e këtij granti që u nënshkrua në nëntor të vitit 2020, i siguroi Kosovës mbështetje prej 33 milionë dollarësh, ndërsa nëpër vite është mbështetur edhe me fonde tjera. Vlera e përgjithshme e këtij granti është mbi 73.4 milionë dollarë.

Në një njoftim të zyrës së presidentes së Kosovës thuhet se me këtë marrëveshje “synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”.

Po ashtu në njoftim thuhet se “me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t'i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani, shkroi se mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara në Kosovë “është dëshmi e përkushtimit të qeverisë dhe popullit amerikan për të përforcuar mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes institucioneve efektive dhe llogaridhënëse”, shkroi ajo duke theksuar se Kosova është e bekuar me aleatët e saj.

Në një njoftim të USAID-it thuhet se që nga viti 1999, kjo agjenci ka investuar mbi 1 miliard dollarë amerikan në rindërtimin e Kosovës dhe zhvillimin e saj. “Me këtë zotim të ri të 31.9 milionë dollarëve amerikanë, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova theksojnë përkushtimin ndaj vlerave të përbashkëta dhe zhvillimit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e USAID-it.

XS
SM
MD
LG