Lidhje

Britania, sanksione që vënë në shënjestër disinformimin rus


Britania njoftoi sanksione ndaj 14 subjekteve dhe individëve rusë të enjten, përfshirë organizatat shtetërore të medias që qëndrojnë pas kanaleve RT dhe Sputnik dhe disa figura të larta, duke thënë se po vinte në shënjestër ata që përhapin "lajmet dhe informacionet e rreme" të Presidentit Vladimir Putin.

Britania po vepron në bashkëpunim me aleatët e saj perëndimorë në përpjekje për të paralizuar ekonominë ruse si ndëshkim për agresionin në Ukrainë dhe ka sanksionuar deri tani më shumë se 1000 individë dhe biznese.

Mes atyre që u sanksionuan të enjten janë drejtori menaxhues i RT, Alexey Nikolov, Sergej Brilev, një drejtues i njohur lajmesh në rrjetin shtetëror të Televizionit dhe Radios Rossiya dhe kryeredaktori i Sputnikut Anton Anisimov.

Qeveria tha se po sanksiononte drejtpërdrejt organizatat e medias shtetërore, përfshirë TV-Novosti të financuar nga Kremlini që zotëron RT dhe Rossiya Segodnya, e cila kontrollon agjencinë e lajmeve Sputnik.

"Lufta e Putinit ndaj Ukrainës bazohet në një valë gënjeshtrash," tha në një deklaratë Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.

"Britania ka luajtur rol qendror në ekspozimin e dizinformatave të Kremlinit dhe ky raund i fundit sanksionesh godet propaganduesit e paturpshëm që përhapin lajmet dhe informacionet e rreme të Putinit", tha ajo.

RT tha se sanksionet treguan se lirisë së medias në Britani po i vjen fundi.

Ministria e jashtme ruse nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të agjencisë Reuters për koment.

Sanksionet e reja të Britanisë vënë gjithashtu në shënjestër shtatë individë të lidhur me institutin rus, Fondacioni Strategjik i Kulturës, të cilët së fundmi u sanksionuan nga Australia për rolin e tyre në përhapjen e dizinformatave.

Qeveria britanike tha se kishte sanksionuar gjithashtu shefin e Komandës dhe Qendrës së Kontrollit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë, Mikhail Mizinitsev, i cili kishte qenë "përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e rrethimit dhe bombardimeve të Mariupolit" - një qytet port në jug të Ukrainës që është bombarduar për javë të tëra.

XS
SM
MD
LG