Dy dekada pasi konfliktet e përgjakshme në Ballkan përfunduan, presidenti serb Aleksandar Vuçiç zotohet për paqe dhe qëndrueshmëri për të fituar një mandat të ri në krye të Serbisë e cila është nën trysni për të zgjedhur midis lidhjeve tradicionale me Rusinë dhe aspiratës së saj për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Agresioni rus në Ukrainë, që filloi disa ditë pas caktimit zyrtar të datës së zgjedhjeve, pati një ndikim të thellë në fushatën në Serbi, ku shumica e qytetarëve mbështet neutralitetin ushtarak.
Bojan Klaçar, nga organizata CeSID tha se agresioni rus në Ukrainë nxiti ndryshim të temave kryesore të fushatës si korrupsioni, ekologjia dhe sundimi i ligjit.
“Elektorati tani po kërkon përgjigje për shqetësimet lidhur me qëndrueshmërinë ekonomike, standardin e jetesës dhe qëndrueshmërinë politike”, tha ai.
Duket se partia në pushtet ishte më e aftë për ta përshtatur fushatën e saj me shqetësimet e qytetarëve.
“Ne i kemi mbijetuar asaj lufte dhe shumë luftërave. Me të, të paktën kemi paqe dhe qëndrueshmëri”, thotë Radmila, përkrahëse e presidentit Vuçiç.
Partia Përparimtare e Aleksandër Vuçiçit pritet të jetë fituese sipas anketave, por nuk ka gjasa të mbajë një shumicë dërrmuese prej 188 deputetësh në parlamentin prej 250 vendesh.
Një anketë e kohëve të fundit nga organizata Faktor Plus që u publikua në të përditshmen Blic të mërkurën, e nxjerr këtë parti fituese me 53 për qind të votave.
Një grupim i disa partive opozitare të quajtur Aleanca për Fitoren, sipas anketave radhitet në vendin e dytë me 13.7 për qind të votave, ndërsa socialistët, që janë partner koalicioni me presidentin serb do të jenë të tretët me rreth 10 për qind.
Një grup lëvizjesh ekologjike i formuar më pak se një vit më parë pritet të marrë 4.7 për qind të votave.
Vetë Aleksandër Vuçiçi pritet të fitojë në raundin e parë të dielën. Zdravko Ponosh, gjeneral dhe ish-shefi i shtabit të ushtrisë, që pritët të jetë i dyti, akuzoi presidentin serb se përdori luftën në Ukrainë në fushatën e tij në përpjekje për të ndërtuar unitetin kombëtar mbi "frikën e njerëzve nga lufta në Ukrainë".
Një politikan i vjetër i cili ishte ministër i informacionit në vitin 1998 në qeverinë e ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, deri në vitin 2008 Vuçiç kishte qenë një dishepull anti-perëndimor i ideologjisë së Serbisë së Madhe, që nxiti luftërat e viteve 1990 pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ai u shndërrua në një politikan që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian pasi u nda nga Partia Radikale Serbe dhe tani mbron neutralitetin ushtarak dhe lidhjet me vendet perëndimore dhe Rusinë dhe Kinën njëkohësisht.
Që nga viti 2012 kur partia e tij erdhi në pushtet, Aleksandër Vuçiç mbajti disa poste: ministër i mbrojtjes, kryeministër dhe që nga viti 2017 - president.
Kritikët thonë se popullariteti i tij mbështetet në stilin autokratik të qeverisjes, i cili përfshin kontrollin e fortë të medias dhe përfitime të tilla si punësimi në kompanitë shtetërore vetëm për mbështetësit e tij.
Partitë opozitare thonë se zgjedhjet do të manipulohen dhe paralajmërojnë se në listat e votuesve po shtohen emra.
“Unë mendoj se ai është dëmtuar mjaft dhe nëse ai nuk i vjedh (votat) dhe gjithçka tregon se ai do ta bëj këtë, mendoj se do të fitojmë këtë herë dhe do ta largojmë atë”, Zdenka Buliç, përkrahëse e opozitës në Serbi.