Lidhje

Podgoricë, marshim kundër sulmit rus në Ukrainë


Qindra qytetarë morën pjesë në “Marshin në mbështetje të Ukrainës kundër agresionit rus” organizuar nga Shoqata Ukrainase “Vepra e mirë”, që u mbajt të dielën në Podgoricë.

E ngarkuara me punë e Ambasadës së Ukrainës, Natalija Fijalka, i bëri thirrje qeverisë malazeze që të marrë një vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë sa më shpejt të jetë e mundur, sepse, siç tha ajo, “kjo është mënyra e vetme për të mbështetur luftën e Ukrainës kundër Rusisë”.

Zonja Fijalka tha se ajo që po ndodh në Ukrainë nuk mund të quhet konflikt apo krizë, por agresion i Rusisë ndaj një vendi që është paqësor.

"Shiu sot kujton lotët e miliona ukrainasve të shkaktuara nga agresioni rus. Qindra civilë janë vrarë dhe torturuar. Rusia dëshiron të shkatërrojë të gjithë ukrainasit, 43 milionë banorët e Ukrainës. Ne e quajmë këtë agresion dhe jo krizë", tha zonja Fijalka.

Në marshin e mbështetjes foli edhe ukrainasja Ogla Sanjina Miranoviç, e cila prej tetë vitesh jeton në Mal të Zi.

“Sot është dita e 39-të e luftës në Ukrainë, më shumë se 1000 njerëz u vranë, po aq u plagosën dhe mbi 150 fëmijë u vranë. Për të dytin muaj radhazi, më shumë se 150,000 njerëz nuk mund të largohen nga Mariupoli, përfshirë prindërit e mi, për të cilët nuk kam dëgjuar asnjë lajm që atëherë. Nuk ka asnjë justifikim për agresionin rus kundër popullit të Ukrainës”, tha ajo.

Marshimi në mbështetje të Ukrainës u organizua në rrugën ku ndodhet Ambasada e Ukrainës , pranë ndërtesës së Kuvendit dhe përfundoi në Sheshin e Pavarësisë.

Pjesëmarrësit në marshim vendosen lodra fëmijësh pranë Parlamentit të Malit të Zi dhe mbajtën një minutë heshtje në kujtim dhe nderim të fëmijëve ukrainas të vrarë në luftë.

Në këtë marshim ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Malin e Zi, Judy Raising Reinke dhe ambasadori austriak Carl Miller. Në marshim morën pjesë edhe përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate Mirko Staniç dhe deputetja e Partisë Demokratike të Socialistëve Suzana Pribiloviç.

XS
SM
MD
LG