Lidhje

Batiste me çmimin më të lartë Grammy


APTOPIX 64th Annual Grammy Awards

LAS VEGAS - Artisti i shumë zhanreve Jon Batiste fitoi albumin e vitit ndërsa grupi Silk Sonic në zhanrin R&B mori dy nga çmimet kryesore të dielën në ceremoninë Grammy që përfshiu një thirrje surprizë për mbështetje nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

Batiste, i cili drejton grupin muzikor në emisionin "The Late Show with Stephen Colbert", fitoi gjithsej pesë çmime, përfshirë çmimin më të madh të ceremonisë për "We Are", një album xhazi i frymëzuar nga lëvizja Black Lives Matter.

Batiste fitoi gjithashtu çmimin për videoklipin më të mirë për këngën "Freedom", dhe një çmim për kompozimin dhe aranzhimin e këngëve për filmin e animuar "Soul" të Pixarit.

Grupi Silk Sonic, me Bruno Mars dhe Anderson Paak, fituan çmimet për këngën dhe rekordin e vitit për hitin e tyre të frymëzuar të viteve 1970 "Leave the Door Open".

Olivia Rodrigo, këngëtarja 19-vjeçare me albumin e saj "Sour", mori tre çmime, duke përfshirë artisten e re më të mirë të vitit.

Në mes të ceremonisë, prezantuesi Trevor Noah paraqiti një video-mesazh nga presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy, i cili bëri krahasimin mes gëzimit që sjell muzika dhe shkatërrimin e shkaktuar nga agresioni rus në vendin e tij më shumë se një muaj më parë.

"Çfarë është e kundërta më e madhe me muzikën? Heshtja e qyteteve të rrënuara dhe njerëzve të vrarë," tha zoti Zelenskyy, i veshur me një bluzë jeshile dhe me një zë të ngjirur.

“Mbusheni heshtjen me muzikën tuaj”, shtoi ai. "Na përkrahni në çfarëdo mënyre që mundeni. Çdo gjë, por jo me heshtje."

Fjalimi i parapriu një interpretimi të kantautorit John Legend që u shfaq me dy muzikantë dhe një poet ukrainas.

Nderimet më të larta në muzikë u shtynë nga janari për shkak të një rritjeje të rasteve të COVID-19 dhe u zhvendosën nga Los Anxhelos në Las Vegas. Yjet kaluan në tapetin e kuq dhe mijëra spektatorë mbushën vendin e ngjarjes, në kontrast me aktivitetin e reduktuar të vitit të kaluar në natyrë.

Prezantuesi Trever Noah i kërkoi audiencës që ta perceptonte mbrëmjen si "një koncert ku shpërndajmë çmime".

Prezantuesi Noah, vuri në lojë aktorin Will Smith, i cili një javë më parë goditi me shuplakë komedianin Chris Rock në ceremoninë Oscar.

Grupi korean i popit BTS, një fenomen global që nuk ka fituar kurrë një çmim Grammy, u largua përsëri duarbosh. Por grupi bëri një paraqitje mbresëlënëse me hitin e tyre "Butter", duke iu shmangur rrezeve lazer në atë që dukej si një skenë filmi.

Grupi i rrokut Foo Fighters, bateristi i të cilit Taylor Hawkins vdiq pak më shumë se një javë më parë, fitoi tre çmime, duke përfshirë albumin më të mirë rock për "Medicine at Midnight". Askush nga grupi nuk ishte i pranishëm për të pranuar trofetë.

Fituesit u zgjodhën nga rreth 11,000 anëtarë votues të Akademisë së Regjistrimit.

Në kategoritë e komedisë, komediani Louis C.K. fitoi albumin më të mirë për "Sincerely Louis C.K.", komedia e tij e parë speciale që kur pranoi sjelljen e papërshtatshme me sulme seksuale në vitin 2017.

XS
SM
MD
LG