Lidhje

Amerikanët e mbetur në Ukrainë


12 ditë para se Rusia të sulmonte Ukrainën në shkurt, Presidenti Biden u kërkoi të gjithë qytetarëve amerikanë që ndodheshin përkohësisht ose jetonin në Ukrainë që të largoheshin menjëherë nga vendi. Dhe megjithëse shumë amerikanë janë larguar, të tjerë mbeten në Ukrainë dhe nuk kanë plane të ikin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Kostutschenko njofton.

Amerikanët e mbetur në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Rachel McVey bën më shumë se 30 telefonata në ditë. Ajo është një nga vullnetarët e shumtë amerikanë që vendosën të qëndrojnë në Ukrainë për të ndihmuar pas sulmit të Rusisë .

“Është inkurajuese të shohësh sa të bashkuar janë njerëzit këtu. Nuk është një situatë ku pritet që ushtria e vetme të bëjë punën e saj për të na mbrojtur. Këtu të gjithë bëjmë të pamundurën”.

Për Rejçëllin, mëngjesi i 24 shkurtit nisi me një telefonatë të prindërve të saj në Shtetet e Bashkuara. Ata i thanë vajzës së tyre se Putini kishte sulmuar Ukrainën dhe ushtria ruse filloi menjëherë të bombardonte disa qytete të Ukrainës. Midis tyre ishte kryeqyteti, Kievi, ku Rejçëlli kishte gjashtë vjet që jetonte dhe punonte.

“Një ditë je duke jetuar jetën tënde normalisht duke pirë kafe me miq dhe duke menduar rreth planeve të karrierës…dhe ditën tjetër je në telefon dhe merr informacione të tilla si ‘trupat paraushtarake të armikut kanë zbarkuar pranë qytetit…’

Ajo kishte mundësi të kthehej menjëherë tek prindërit e saj në Filadelfia. Por nuk e hodhi atë hap.

“Ditën e parë të luftës kisha një shoqe që ishte në Lviv – ajo dhe burri i saj po largoheshin me makinë nga qyteti për në Poloni. Ofruan të më merrnin me vete”.

Por Rejçëll kishte arsyet e saj për të qëndruar në Ukrainë.

“Ukraina për mua personifikon lirinë. Këtu gjeta veten, gjeta miqtë që i dua vërtet dhe jam e lidhur, këtu gjeta dashurinë!”

Amerikani Çarls Bonds gjithashtu mbërriti në Lviv vetëm me një çantë shpine në kurriz. Ai është një historian, i cili vendosi vetë të studiojë stalinizmin. Çarls mbërriti në Ukrainë nga Indiana më 1 shkurt, duke planifikuar të vendosej dhe të jepte mësim në Ukrainë.

“Më 24 shkurt u zgjova dhe shkova të pija një cigare. Në ballkonin e përbashkët të banesës pashë njerëz me valixhe dhe e kuptova pothuajse menjëherë se çfarë po ndodhte; kishte filluar lufta”.

Çarls Bonds dhe kolegët e tij amerikanë u nisën për në Lviv në ditët e para të agresionit. Por ai nuk u largua nga Ukraina.

“Ne po u bëjmë thirrje të gjithë amerikanëve që të mbledhin fonde. Ne po blejmë sende të nevojshme taktike dhe sende humanitare…”

Çarls Bonds beson se Ukraina do të dalë fitimtare nga ky konflikt.

“Brenda dy dekadash Ukraina do të jetë vendi më i fuqishëm në Evropë, kam shumë besim tek kjo. Njerëzit mund të qeshin me mua, ashtu siç qeshëm me njerëzit që parashikuan rënien e Bashkimit Sovjetik“.

Ashtu si shumë të tjerë – ai është i bindur se Ukraina do të fitojë. Dhe asgjë – madje edhe pushtimi i Rusisë – nuk mund ta detyrojë atë të largohet nga vendi që e ka në zemër.

XS
SM
MD
LG