Sindikatat e punëtorëve në Kosovë protestuan të premten para qeverisë me thirrjet për miratimin e ligjeve që do të mundësonin përmirësimin e jetës së punëtorëve.
Sindikalistët kërkojnë miratimin e Ligjit për Pagat, zbatimin e sigurimeve shëndetësore dhe ndryshimin e ligjit për skemat pensionale.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tha se kërkesat janë të arsyeshme dhe jo rënduese.
“Partnerit tonë social, qeverisë, i mbetët barra po nuk e mori vendimin e duhur për përmbushjen e kërkesave tona duke mos u lënë rrugë tjetër sindikatave por vetëm rrugën e cila është shumë e padëshirueshme për sindikatat, rrugën e grevës, mjeti i fundit për të shprehur pakënaqësitë sindikale dhe të mbrojtjes sw të drejtave dhe dinjitetit të të punësuarve të Kosovës”, tha zoti Hykolli.
Përfaqësuesit e sindikatave kërkuan nga qeveria që të ndajë nga 100 euro shtesë për çdo të punësuar për shkak të rritjes së çmimeve, deri në miratimin e ligjeve që rregullojnë pagat e punëtorëve.
Sindikata e arsimit, paralajmëroi grevë në rast se nuk përmbushen disa nga kërkesat deri më 20 prill.
“Punëtorët e arsimit që nga çerdhet e deri në Universitet nga 20 prilli do t’i shohësh edhe në një veprim tjetër, do t’i shohësh në grevë dhe populli le ta dinë fajtori i vetëm është kryeministri (Albin) Kurti dhe qeveria e tij”, tha kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.
Në muajin shkurt të vitit 2019 qeveria e Kosovës miratoi ligjin për pagat i cili u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në muajin qershor të vitit 2020, për shkak të siç u tha, mospërputhshmërisë me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i tha Zërit të Amerikës se projektligji i ri për pagat ndodhet në fazën përfundimtare të hartimin dhe se pas kësaj do të hapet për këshillime me sindikatat. Ai tha se ligji i kaluar por edhe kuadri aktual i sistemit të pagave ka shumë parregullsi, të cilat kanë nevojë për trajtim të kujdesshëm dhe sistematik, duke nënvizuar se synimi i qeverisë është ta hartojë një ligjtë drejtë për gjithë sektorin publik. Ai nuk bëri të ditur se kur ky ligj do të mund të dërgohet për miratim në parlament.