Lidhje

Ukrainë, banorët e qytetit Çernihiv tregojnë tmerret e luftës


Për më shumë se një muaj qyteti Çernihiv në Ukrainë u rezistoi sulmeve të forcave ruse. Tani autoritetet ukrainase kanë marrë kontrollin, ndërsa banorët janë të traumatizuar për atë që kaluan. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock ishte në qytetin Çernihiv dhe përgatiti këtë material.

Ukrainë, banorët e qytetit Çernihiv tregojnë tmerret e luftës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Qyteti Çernihiv në Ukrainë për më shumë se një muaj u rezistoi sulmeve të frocave ruse. Tani autoritetet ukrainase kanë kontrollin.

Ata po shpërndajnë ushqime, ujë dhe pajisje të tjera që janë të nevojshme për banorët.

Banorët tregojnë për Zërin e Amerikës se për një muaj kishte bombardime dhe shpërthime të forta në qytet pothuajse çdo ditë.

Gjysma e popullsisë së qytetit u largua dhe qindra njerëz vdiqën, përfshirë shumë të rinj vendas që kishin dalë vullnetarë për të luftuar.

“Djali im u plagos në bark dhe kishte edhe lëndime të tjera, por ai vazhdoi të luftonte”, tregon një banore e Çernihivit.

Në një nga spitalet e qytetit, drejtori thotë se një e treta e stafit të tij ka ikur ose është zhdukur. Ai thotë se do të duhet shumë kohë para se të numërohen të gjithë viktimat.

“Kemi shumë zona të banuara të shkatërruara dhe rrënojat nuk janë pastruar. Gjithashtu ka shumë shtëpi të rrënuara në fshatrat e afërta dhe mendoj se do të gjejmë shumë trupa poshtë tyre. Njerëzit jetonin në bodrumet e tyre”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Disa qytete dhe fshatra në rajonin e Kievit u rimorën gjithashtu nga forcat ukrainase javën e kaluar.

Rusia tha se planifikonte të përqëndronte sulmet e saj në lindje të Ukrainës pasi dështoi të pushtonte kryeqytetin, Kievin.

Forcat ruse janë akuzuar për ekzekutimin e civilëve, përdhunime dhe plaçkitje. Qeveria ukrainase po bën thirrje për një hetim mbi krimet e dyshuara të luftës. Rusia ka mohuar se ka shënjestruar civilët dhe ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për mizori.

Punonjësit humanitarë në Çernihiv thonë se shumë nga të mbijetuarit kanë mbetur të varfër.

“Një grua na tregoi se përpara luftës ajo kishte një fermë të madhe. Trupat ruse ia vranë të gjitha lopët dhe derrat”, tregon Evgen Korzh, një vullnetar.

Përveç varfërisë, mjekët thonë se rrethimi i ka lënë banorët të traumatizuar, ndoshta përgjithmonë.

“Për mendimin tim, njerëzit këtu nuk do të ndihen kurrë të sigurt si më parë, sepse ne gjithmonë do të presim që diçka të ndodhë përsëri. Kjo luftë na ka ndryshuar përgjithmonë", thotë Andriy Linnyk, mjek në spitalin rajonal në Çernihiv.

Banorët e qytetit Çernihiv thonë se ata nuk u besojnë forcave ruse që thonë se janë tërhequr dhe presin që të sulmohen përsëri.

XS
SM
MD
LG