Kryeministri i Britanisë Boris Johnson, një nga mbështetësit më të vendosur të Ukrainës, shkoi në Kiev të shtunën dhe premtoi sanksione më të forta ndaj Rusisë, si edhe i ofroi presidentit Volodymyr Zelenskiy më shumë armë mbrojtëse, një lëvizje që udhëheqësi ukrainas tha se duhet ta bëjnë edhe udhëheqësit e tjerë.
Në një takim që nuk ishte njoftuar para se zoti Johnson të shkonte në Ukrainë, të dy udhëheqësit çimentuan lidhjet e ngushta që kanë zhvilluar që kur Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës më 24 shkurt.
Zoti Johnson dhe zoti Zelenskiy vlerësuan njëri-tjetrin për bashkëpunimin që kur filloi sulmi rus, të cilin Moska e quan një "operacion special" për të çmilitarizuar dhe "denazifikuar" fqinjin e saj.
Presidenti Zelenskiy e hedh poshtë këtë karakterizim, duke thënë se Rusia është e vendosur të shkatërrojë vendin e tij.
“Ne duhet të bëjmë gjithnjë e më shumë presion ndaj Federatës Ruse, të punojmë më shumë për të ndihmuar popullin e Ukrainës ta mbrojë vendin përballë Federatës Ruse dhe të shtojmë sanksionet”, tha Presidenti Zelenskiy.
"Shtetet e tjera demokratike perëndimore duhet të ndjekin shembullin e Britanisë së Madhe. Është koha për të vendosur një ndalim të plotë të furnizimeve ruse me energji dhe për të intensifikuar dërgimin e armëve tek ne", tha ai.
"Së bashku me partnerët tanë, ne do të rrisim presionin ekonomik dhe do të vazhdojmë të intensifikojmë javë pas jave sanksionet ndaj Rusisë", u përgjigj zoti Johnson.
Më herët, zyra e kryeministrit Johnson tha se Britania do t'i sigurojë vendit 120 automjete të blinduara dhe sisteme të reja.
Këshilltarët e zotit Johnson thonë se të dy udhëheqësit kanë biseduar pothuajse çdo ditë që kur Rusia nisi agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Kryeministri Johnson u takua me zotin Zelenskiy "në një shfaqje solidariteti me popullin ukrainas," tha një zëdhënës i qeverisë britanike.
Në kanalin Telegram të Presidentit Zelenskiy, zoti Johnson u cilësua si "një nga kundërshtarët më parimorë të agresionit rus, një udhëheqës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ofrimin e mbështetjes e mbrojtjes për Ukrainën".