Franca hapi vendvotimet të dielën për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në të cilat rreth 48 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin midis 12 kandidatëve.
Presidenti Emmanuel Macron po kërkon një mandat të dytë, ndërsa po përballet me një sfidë të fortë nga e djathta e skajshme.
Nëse dikush nuk merr më shumë se gjysmën e votave, do të ketë një raund të dytë dhe vendimtar mes dy kandidatëve kryesorë më 24 prill.
Përveç presidentit Macron, kandidatja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen dhe kandidati i ekstremit të majtë, Jean-Luc Melenchon, janë ndër personalitetet e e shquara që konkurrojnë për të hyrë në pallatin presidencial Elysee.
Presidenti Macron, një politikan i qendrës, për muaj të tërë dukej se ishte në rrugë për t'u bërë presidenti i parë i Francës që do të fitonte një mandat të dytë në 20 vjetet e fundit. Por, ky skenar u mjegullua në fazat përmbyllëse të fushatës pasi dhimbja e inflacionit dhe e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë u shndërruan në temat kryesore zgjedhore për shumë familje me të ardhura të ulëta. Ato mund të shtyjnë shumë votues të dielën në krahët e udhëheqëses se ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, armikut politik të zotit Macron.
Emmanuel Macron e mposhti zonjën Le Pen me një rezultat të thellë për t'u bërë presidenti më i ri i Francës në vitin 2017. Fitorja për ish-bankierin, tani 44 vjeç, u pa si një fitore kundër politikës populiste e nacionaliste, pas zgjedhjes së zotit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe votimit të Britanisë për t'u larguar nga Bashkimi Evropian, në vitin 2016.
Me populistin Viktor Orban që fitoi mandatin e katërt radhazi si kryeministër i Hungarisë ditë më parë, sytë tani janë kthyer nga kandidatët e ringjallur të ekstremit të djathtë të Francës – veçanërisht zonjës Le Pen, e cila dëshiron të ndalojë shamitë myslimane në rrugë dhe kasapët hallall dhe të shkurtojë në mënyrë drastike emigracionin e nga jashtë Evropës. Këto zgjedhje kanë mundësinë të riformojnë identitetin e Francës së pasluftës dhe të tregojnë nëse populizmi evropian është në ngritje apo në rënie.
Nëse zoti Macron fiton në këto zgjedhje, kjo do të shihet si një fitore e Bashkimit Evropian. Vëzhguesit thonë se një rizgjedhje e zotit Macron do të nënkuptonte gjasa reale për rritjen e bashkëpunimit dhe investimeve në sigurinë dhe mbrojtjen evropiane, veçanërisht me një qeveri të re gjermane në favor të BE-së.
Me luftën në kufijtë lindor të BE-së, rezultatet e zgjedhjeve të sotme në Francë do të ketë ndikime ndërkombëtare. Franca është ekonomia e dytë e bllokut evropian prej 27 anëtarësh, e vetmja me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe fuqia e tij e vetme bërthamore. Dhe ndërsa presidenti rus Vladimir Putin vazhdon me luftën në Ukrainë, fuqia franceze do të ndihmojë në formimin e përgjigjes së Evropës.
Lufta e Rusisë në Ukrainë i ka dhënë presidentit Macron mundësinë për të demonstruar ndikimin e tij në skenën ndërkombëtare dhe për të theksuar qëndrimet e tij pro NATO-s në debatet zgjedhore.
Presidenti Macron është i vetmi kandidat kryesor që mbështet aleancën ndërsa kandidatët e tjerë kanë pikëpamje të ndryshme për rolin e Francës brenda saj. Kandidati i së majtës ekstreme Melenchon është ndër ata që duan ta braktisin atë krejtësisht, duke thënë se nuk prodhon gjë tjetër veç grindjeve dhe paqëndrueshmërisë.
Një zhvillim i tillë do t'i jepte një goditje të madhe një aleance të ndërtuar 73 vjet më parë për të mbrojtur anëtarët e saj në Luftën e Ftohtë.