Lidhje

Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj dy politikanëve serbë të Bosnjës


Britania e Madhe njoftoi të hënën sanksione kundër politikanëve serbo-boshnjak, Milorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviç, për shkak të përpjekjeve të tyre për të dëmtuar legjitimitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës.

Sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit, janë të parat që shpallen nga Britania e Madhe. Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, akuzoi dyshen se ishte trimëruar nga agresioni i Vladimir Putinit në Ukrainë.

“Këta dy politikanë po dëmtojnë qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë", tha sekretarja Truss në një deklaratë. “Të inkurajuar nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon qëndrueshmërinë dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Milorad Dodik është anëtari serb presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa Zhelka Cvijanoviç është presidente e entitetit të Republikës Serbe.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar thonë se të dy kanë përdorur postet e tyre për të nxitur shkëputjen de fakto të Republikës Serbe, një nga dy entitetet e Bosnjës dhe Hercegovinës, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kushtetutën e vendit.

Në fillim të muajit janar të këtij viti, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Milorad Dodikut me motivacionin “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënime të vazhdueshme ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnje Hercegovinës.

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e vitit 1995, i dha fund luftës në Bosnje, e cila shkaktoi vdekjen e mbi 100,000 vetëve dhe la miliona të pastrehë. Marrëveshja krijoi dy njësi të veçanta qeverisëse në Bosnje - njëra e drejtuar nga serbët e Bosnjës dhe tjetra e mbizotëruar nga boshnjakët. Të dyja njësitë janë të lidhura me institucione të përbashkëta mbarëkombëtare dhe të gjitha veprimet në nivel kombëtar kërkojnë konsensus nga të tre grupet etnike.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

XS
SM
MD
LG