Lidhje

Forcat ukrainase rezistojnë, ndërsa Rusia rifillon sulmin


Një banore qëndron në rrugën mes godinave të shkatërruara (Mariupol, 10 prill 2022)
Një banore qëndron në rrugën mes godinave të shkatërruara (Mariupol, 10 prill 2022)

Ukraina njoftoi të hënën se forcat e saj vazhdonin të rezistonin në qytetin port Mariupol, ku Rusia po rifillonte sulmin e saj. Rrethimi i qytetit deri më tani mendohet se ka marrë jetët e mijëra civilëve të bllokuar.

"Komunikimi me njësitë e mbrojtjes që po mbajnë heroikisht qytetin është i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm", njoftoi në Facebook shefi i shtabit ukrainas, Gjeneral Valeriy Zaluzhniy.

"Po bëjmë ç'është e mundur dhe e pamundur për fitoren dhe ruajtjen e jetëve të personelit dhe të civilëve në të gjitha drejtimet. Besoni në Forcat e Armatosura të Ukrainës!", shkruajti ai.

Ushtarët ukrainas duke inspektuar një autoblindë të shkatërruar
Ushtarët ukrainas duke inspektuar një autoblindë të shkatërruar

Më herët, një brigadë marinsash ukrainas që mbrojnë qytetin shkruajti në Facebook se u kishte mbaruar municioni dhe se përballeshin tashmë me vdekjen ose kapjen rob, dhe se e hëna kishte gjasa të bëhej "beteja e tyre përfundimtare".

Petro Andryushchenko, një ndihmës i kryebashkiakut të Mariupolit, tha në mediat sociale se faqja e marinsave ishte sulmuar nga hakerë dhe se postimi ishte fals. Agjensia e lajmeve Reuters nuk arriti ta verifikonte këtë në mënyrë të pavarur.

Pasi larguan forcat ruse nga kryeqyteti Kiev këtë muaj, Ukraina tashmë po përgatit mbrojtjen për një ofensivë të re ruse në territorin lindor, për të cilin Rusia thotë se përfaqëson objektivin e saj kryesor.

Nëse ajo çfarë ka mbetur nga Mariupoli bie në duart e forcave ruse pas gati shtatë javësh rrethimi, ai do të bëhet qyteti i parë kryesor që kapet nga Rusia që nga fillimi i luftës. Forcat ruse që avancojnë nga Krimea do të ishin në gjendje të ndërlidheshin me forcat që avancojnë nga lindja, dhe do të përqëndroheshin tek rrethimi i forcës kryesore ukrainase që është përqëndruar në këtë zonë.

"Ka dhjetëra mijëra të vdekur, por megjithë këtë, rusët nuk po e ndalin ofensivën e tyre", i tha zoti Zelenskyy parlamentit të Koresë së Jugut nëpërmjet një lidhjeje videofonike, ndërsa përshkruante sulmin rus ndaj Mariupolit, i cili përpara luftës kishte 400 mijë banorë.

Agjensia e lajmeve Reuters nuk arriti ta verifikojë këtë vlerësim, por Kombet e Bashkuara gjithashtu kanë thënë se mijëra njerëz mendohet të kenë vdekur në qytetin Mariupol, i cili është izoluar krejtësisht nga furnizimi me ushqim, elektricitet apo ujë që nga muaji shkurt.

Njerëzit duke pritur në radhë për ujë (Mariupol, 10 prill 2022)
Njerëzit duke pritur në radhë për ujë (Mariupol, 10 prill 2022)

Shërbimet britanike të zbulimit thanë se forcat ukrainase kanë zmbrapsur tashmë disa sulme ruse në rajonet lindore.

Në Moskë, kancelari i Austrisë Karl Nehammer u bë lideri i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që takoi presidentin Vladimir Putin në person që nga fillimi i luftës.

Në një deklaratë pas takimit, zoti Nehammer tha se diskutimi me zotin Putin ishte "shumë i drejtpërdrejtë, i hapur dhe i ashpër". Ai shtoi se mesazhi i tij më i rëndësishëm për presidentin rus ishte se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë sepse "në një luftë ka vetëm humbës nga të dyja palët".

Kancelari austriak Karl Nehammer duke dalë nga takimi me Presidentin rus Putin, në Moskë, 11 prill 2022 (Bundeskanzleramt/Dragan Tatic/Handout via REUTERS)
Kancelari austriak Karl Nehammer duke dalë nga takimi me Presidentin rus Putin, në Moskë, 11 prill 2022 (Bundeskanzleramt/Dragan Tatic/Handout via REUTERS)

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Kremlini nuk do të ndalë operacionin e tij për asnjë raund të ri të bisedimeve të paqes.

"U mor një vendim që gjatë raundeve të ardhshme të bisedimeve, nuk do të kishte pauzë (në aksionin ushtarak) për sa kohë që nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare", tha zoti Lavrov.

Rusia tani thotë se objektivi i saj në atë që e quan një "operacion special ushtarak" është të mbështesë deklaratat e pavarësisë nga separatistët që ajo ka mbështetur që nga viti 2014, të cilët pretendojnë kontrollin mbi të gjithë territorin e provincave Luhansk dhe Donetsk. Kjo përfshin Mariupolin dhe qytete të tjera të mbajtura prej kohësh ende nga Ukraina.

XS
SM
MD
LG