Lidhje

Shërbimi sekret i Ukrainës arreston një aleat kryesor të Presidentit rus Putin


Gjatë një takimi ndërmjet Presidentit rus Putin dhe Viktor Medvedchukut në Shën Pjetërburg, 18 korrik 2019 (Sputnik/Mikhail Klimentyev/Kremlin via REUTERS)
Gjatë një takimi ndërmjet Presidentit rus Putin dhe Viktor Medvedchukut në Shën Pjetërburg, 18 korrik 2019 (Sputnik/Mikhail Klimentyev/Kremlin via REUTERS)

Shërbimet e sigurisë të Ukrainës njoftuan të martën se kanë arrestuar politikanin pro-rus Viktor Medvedchuk, i cili është aleati më i afërt dhe më me influencë në Ukrainë i Presidentit rus Vladimir Putin.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy kishte publikuar më herët një fotografi të zotit Medvedchuk, në pranga dhe me pamje të lodhur. Ai ka thënë më parë se Presidenti Putin është kumbar i vajzës së tij.

Në muajin shkurt, Kievi kishte njoftuar se zoti Medvedchuk, udhëheqës i partisë Platforma e Opozitës për Jetën, ishte arratisur nga arresti në shtëpi. Vitin e kaluar, autoritetet ukrainase kishin çelur një çështje penale për tradhëti ndaj zotit Medvedchuk, i cili e mohon akuzën.

"Mund të jesh një politikan pro-rus dhe të punosh për shtetin agresor për vite. Mund edhe t'i fshihesh rishtazi drejtësisë. Mund edhe të vishesh me uniformë ukrainase për t'u kamufluar", shkruanin shërbimet e sigurisë në një postim në internet.

"Por, a mund t'ju ndihmojë t'i shpëtoni ndëshkimit? Jo, aspak! Prangat ju presin dhe po kështu i presin edhe tradhtarët e tjerë të Ukrainës".

Postimi citonte kreun e shërbimeve sekrete, Ivan Bakanov, të ketë thënë se operativët "kishin ndërmarrë një operacion të shpejtë dhe të rrezikshëm me shumë etapa" për të arrestuar zotin Medvedchuk, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Muajin e kaluar, Presidenti Zelenskiy shpalli pezullimin e funksionimit të partisë Platforma e Opozitës për Jetën, e cila është lëvizja më e madhe opozitare në Ukrainë, si dhe disa parti të tjera më të vogla që mbajnë lidhje me Rusinë.

Një zëdhënës për zotin Medvedchuk nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

XS
SM
MD
LG