Myslimanët në mbarë botën, këtë vit shënojnë muajin e Ramazanit, viti i tretë radhazi që ata e bëjnë këtë në kohë pandemie. Në Shtetet e Bashkuara, këtë vit lutjet dhe iftaret mund të mbahen pa kufizimet e rrepta kundër koronavirusit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yuni Salim, bisedoi me disa anëtarë të komunitetit mysliman në një xhami në periferi të Uashingtonit.
Ramazani ka qenë gjithmonë një muaj i shënuar me lutje dhe ceremoni të përbashkëta të besimtarëve myslimanë.
Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, ata mund të mblidhen pa kufizime për lutjet dhe iftaret.
Në qendrën IMAAM, të themeluar nga diaspora indoneziane në Silver Spring të Merilendit, për herë të parë pas tre vjetësh, shqetësimi kryesor i organizatorëve është të sigurojnë ushqime të mjaftueshme për besimtarët.
“Pjesa më e vështirë është të parashikosh numrin e njerëzve që do të vijnë këtu. Në dy vitet e mëparshme kishte kufizime në lidhje me numrin e besimtarëve që mund të vinin për shkak të pandemisë. Tani nuk kemi kufizime mbi numrin e njerëzve që mund të na bashkohen për darkat e iftarit dhe lutjet. Unë jam shumë e prekur nga kjo", thotë Ita Raymond, koordinatore e iftarit në Qendrën IMAAM.
Ndryshe nga vitet para pandemisë, ku gjatë gjithë muajit të Ramazanit organizoheshin iftare për besimtarët, të pasuara nga lutjet, Qendra IMAAM tani po shtron darka për komunitetin vetëm të premteve, të shtunave dhe të dielave. Lutjet vazhdojnë të mbahen çdo natë. Kjo është pritur mirë nga shumë besimtarë, pas disa vitesh të organizimit të iftareve të përbashkëta në internet.
“Është emocionuese të shohësh të gjithë së bashku, duke ngrënë darkën e iftarit”, thotë besimtari Nabil Syarnubi.
“Është kënaqësi të jesh këtu. Vitin e kaluar nuk kishte lutje të darkës (taravive) për shkak të Covid-19-ës", thotë besimtari Ezra Tauhid.
Ndonëse është themeluar nga diaspora indoneziane në zonën e Uashingtonit, aktivitetet e Qendrës IMAAM për Ramazanin janë të hapura për të gjithë, duke përfshirë amerikano-sirianen Souheir, e cila për herë të parë po shijon ushqimin tradicional indonezian.
"Në fakt, një pjesë e madhe e ushqimit është me oriz dhe mish, kështu që kjo është e ngjashme me ushqimin tradicional sirian", thotë ajo.
Ramazani është gjithashtu një kohë e studimit të literaturës fetare dhe meditimit. Për këto aktivitete, xhamia ende po përdor metodat e mësimit në internet të zhvilluara gjatë pandemisë.
"Kemi një metodë hibride të mësimit tani. Gjatë ditëve të javës, është e vështirë të gjesh vullnetarë, sepse ata janë duke punuar. Dhe në orët më afër iftarit kemi numër të vogël vullnetarësh. Kështu që ne i kemi vazhduar këto aktivitete në internet”, thotë Nur Fajar, koordinator i Ramazanit në Qendrën IMAAM.
Shumica e indonezianëve ndjekin vendimin e Këshillit të Fikhut të Amerikës së Veriut për Ramazanin dhe filluan agjërimin më 2 prill. Bajrami i madh, festa që shënon përfundimin e agjërimit njëmujor, do të fillojë më 1 maj.