Lidhje

SHBA autorizon 800 milionë dollarë ndihma ushtarake shtesë për Ukrainën


Shtetet e Bashkuara njoftuan autorizimin e 800 milionë dollarëve ndihmë shtesë për sigurinë e Ukrainës, ndërsa udhëheqësi Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për më shumë ndihmë për të mposhtur forcat ruse.

"Kjo paketë e re ndihme do të përmbajë shumë nga sistemet mjaft efektive të armëve që kemi ofruar tashmë dhe aftësi të reja të përshtatura për sulmin më të gjerë që presim që Rusia të ndërmarrë në Ukrainën lindore", thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë pasi presidenti Biden telefonoi presidentin Yelenskyy për ta informuar për ndihmën.

Pentagoni tha se armatimet e reja përfshijnë ndër të tjera 500 raketa Javelin, 300 dronë Switchblade, 300 automjete të blinduara dhe 11 helikopterë.

Shtetet e Bashkuara po ofrojnë gjithashtu një sasi minash, që mund të aktivizohen vetëm në mënyrë manuale.

Sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby tha se zyrtarët e mbrojtjes të SHBA-së duan t'i dërgojnë këto pajisje ndërkohë që Rusia po riorganizon forcat, përfshirë helikopterët dhe sistemet e artilerisë, në Bjellorusi.

"Nuk janë plotësisht të gatshëm për rifillimin e ofensivës sepse duan të vendosen në Donbas," tha ai. "Ne e kuptojmë këtë dhe po përpiqemi të përfitojmë çdo ditë, çdo orë për t'i dërguar këto paisje atje sa më shpejt që të mundemi. Kemi një ide të qartë të përpjekjeve ruse për të rifurnizuar dhe përforcuar", tha ai.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se forcat ukrainase kanë marrë "një sasi të konsiderueshme" të 100 të ashtuquajturve dronëve asgjesues, të pajisur me koka mbushëse për të goditur tanket, e që janë premtuar si pjesë e një pakete të mëparshme ndihme për sigurinë prej 300 milionë dollarësh.

Dronët e mbetur pritet të mbërrijnë në Ukrainë javën e ardhshme, ashtu si edhe raketat shtesë antitank Javelin.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri britanik Boris Johnson "pohuan angazhimin e tyre për të vazhduar sigurimin dhe ndihmën humanitare për Ukrainën përballë mizorive të vazhdueshme nga Rusia", tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të martën.

Pentagoni po zhvillon një takim të klasifikuar të mërkurën me krerët e kontraktorëve më të mëdhenj të mbrojtjes amerikane për të diskutuar plotësimin e nevojave të Ukrainës për armë. Zëvendës Sekretarja e Mbrojtjes Kathleen Hicks u tha gazetarëve se do të marrë pjesë në bisedime.

Në Kiev, zoti Zelenskyy priti presidentin polak Andrzej Duda, presidentin lituanez Gitanas Nauseda, presidentin letonez Egils Levits dhe presidentin estonez Alar Karis.

"Vendet tona po tregojnë mbështetje për Ukrainën dhe për Presidentin Zelenskiy" shkroi në Twitter të mërkurën Jakub Kumoch, një këshilltar i zotit Duda.

Për javë të tëra, zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas kanë thënë se ka prova në rritje për ato që ata i quajnë mizori sistematike dhe krime lufte që po kryhen nga forcat ruse që tërhiqen nga pjesë të Ukrainës veriore.

Akuzat për armë kimike

Komentet e Putinit për luftën, të parat në pothuajse një javë, pasojnë akuzat e reja për krime lufte, duke përfshirë akuzat se forcat ruse që u përpoqën të pushtonin qytetin e rrethuar jugor të Mariupolit, kryen një sulm me armë kimike.

Zyrtarët rusë i kanë mohuar vazhdimisht akuzat dhe kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën se po përgatiten të përdorin armë kimike dhe biologjike.

Zyrtarët amerikanë thanë të martën se po i marrin seriozisht akuzat e fundit kundër Rusisë, por paralajmëruan se konfirmimi i një sulmi me armë kimike mund të marrë kohë.

"Ne nuk mund të konfirmojmë përdorimin e agjentëve kimikë në këtë moment", u tha gazetarëve një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti. "Ne ende jemi duke e analizuar këtë."

"Këto janë gjëra të vështira për t'u vërtetuar, edhe kur je më pranë vendit të ngjarjes. Ne nuk ndodhemi atje", shtoi zyrtari. “Duam të jemi shumë të kujdesshëm për këtë çështje përpara se të bëjmë një deklaratë”.

Duke e komplikuar më tej situatën, zyrtarët amerikanë paralajmëruan se disa burime të inteligjencës sugjerojnë se Rusia mund të përpiqet të maskojë një sulm me armë kimike duke përzier agjentë kimikë të ndaluar me substanca të tjera.

"Ne kemi informacion të besueshëm se forcat ruse mund të përdorin një sërë agjentësh (kimikë) për kontrollin e trazirave, duke përfshirë gaz lotsjellës, të përzier me agjentë kimikë", tha të martën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Beteja për kontrollin e Mariupolit

Trupat ruse dhe ukrainase janë përfshirë në një betejë të ashpër për kontrollin e qytetit të Mariupolit.

Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 22,000 njerëz janë vrarë në Mariupol si rezultat i sulmeve ajrore dhe bombardimeve nga forcat ruse që kanë rrafshuar pjesën më të madhe të qytetit.

Pavarësisht postimeve në mediat sociale nga disa forca të mbështetura nga Ukraina, ku thuhet se vendit po i mbarojnë armët, zyrtarët amerikanë thanë të martën se Rusia nuk ka arritur ende të marrë kontrollin e qytetit.

"Mariupoli është ende i kontestuar dhe ukrainasit janë ende duke luftuar për mbrojtjen e tij", u tha gazetarëve të martën zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. "Ata nuk kanë janë dorëzuar, dhe ne besojmë se ata do vazhdojnë luftën për mbrojtjen e këtij qyteti."

Zyrtarët ushtarakë perëndimorë kanë paralajmëruar se forcat ruse kanë shënjestruar gjithnjë e më shumë Mariupolin me sulme ajrore dhe raketore, si pjesë e përpjekjeve të tyre për të zgjeruar kontrollin në Ukrainën lindore.

"Është e qartë se rusët duan Mariupolin për shkak të vendndodhjes së tij strategjike", tha zoti Kirby. "Kjo do t'u siguronte atyre një rrugë tokësore të pandërprerë midis Donbasit dhe Krimesë."

Ushtria amerikane dhe ajo britanike kanë paralajmëruar se presin një intensifikim të luftimeve në Donbas në ditët dhe javët në vijim, ndërsa forcat ruse tërhiqen nga kryeqyteti ukrainas i Kievit dhe zona të tjera veriore, duke u rifurnizuar në Bjellorusi dhe Rusi para nisjes drejt pjesës lindore të Ukrainës.

Pavarësisht sulmit, forcat ukrainase duket se i kanë shkaktuar humbje serioze ushtrisë ruse. Sipas vlerësimeve të bëra nga Shtetet e Bashkuara, Rusia ka humbur rreth 20% të fuqisë luftarake që kishte në dispozicion për luftën kundër Ukrainës që nga fillimi i sulmit më 24 shkurt.

Ndërkohë, të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi se forcat ukrainase kanë kapur udhëheqësin e opozitës të mbështetur nga Rusia, Viktor Medvedchuk.

Medvedchuk ka qenë në arrest shtëpie nën akuzat për tradhëti, por sipas zyrtarëve ukrainas, ai u arratis menjëherë pas fillimit të sulmit rus.

“Tradhtarë pro-rusë dhe agjentë të shërbimeve sekrete ruse, mbani mend, krimet tuaja nuk kanë kufizime statutore dhe ligjore”, paralajmëroi shërbimi ukrainas i sigurisë në Twitter, duke postuar një foto të zotit Medvedchuk në pranga. “Prangat po ju presin”.

Disa informacione për këtë raport u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG