Autoritetet e sigurisë në Kosovë thanë se në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, janë sulmuar me armë zjarri dy makina të policisë në veriun e banuar me shumicë serbe.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se sulmi është kryer ndaj pjesëtarëve të policisë të cilët ishin duke shkuar në vendkalimet kufitare.
“Sulmi është kryer me granatë dore dhe me armë zjarri e cila dyshohet të jetë e tipit AK-47. Të dy veturat e policisë janë dëmtuar. Falë policëve dhe automjeteve të blinduara, fatmirësisht nuk kemi të lënduar”, tha ai.
Zoti Mehmeti tha se ky ishte sulmi i katërt brenda tri ditësh ndaj policisë së Kosovës në këtë pjesë, gjatë të cilëve janë përdorur edhe mjete metalike të vendosura në rrugë, hedhje gurësh dhe të shtëna me armë zjarri.
“Vendet në të cilat janë bërë sulmet janë të ndërlidhura njëra me tjetrën, janë shumë afër njëra tjetrës dhe natyrisht kjo na bën me dije që kemi të bëjmë me një grup të organizuar që ka për qëllim të sulmojë dhe pengoj punën e policisë së Kosovës, e me theks të posaçëm dëshiron të pengoj aksionet tona të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme ilegale, të cilat zhvillohen në këto pjesë të kufirit të Kosovës”, tha ai.
Ai tha se në vetura kishte pjesëtarë të policisë së Kosovës të përkatësisë shqiptare dhe serbe.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se këto sulme janë kryer nga pjesëtarë të, siç tha ai, grupeve terroriste, por pa dhënë më shumë hollësi se për çfarë grupesh bëhet fjalë.
“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës posaçërisht i policisë për të vendosur rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara të cilat mbështetën drejtpërdrejtë nga Serbia dhe realisht u prishë planet gjithë atyre të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të tyre të krimit dhe si një vazhdimësi e krizave të tjera”, tha ministri Sveçla.
Ai tha se tha se sulmet e ditëve të fundit kanë ndodhur në mënyrë të sinkronizuar dhe në një territor të caktuar.
Sulmi ndaj policisë së Kosovës u dënua gjerësisht në Kosovë.
Ambasada amerikane në Prishtinë u shpreh "thellësisht e shqetësuar" me njoftimet për sulmet mbi policinë e Kosovës.
"Këto sulme ndodhën ndërsa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të neveritshme dhe të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne paralajmërojmë kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore", thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dënoi siç tha, ashpër sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së policisë kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut, duke nënvizuar se çdo përdorim i forcës kundër policëve është i papranueshëm. Ajo bëri thirrje që të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensionet e mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse të zbatimit të ligjit.
Kryeministri Albin Kurti tha se sulmi ka ardhur nga Serbia. Në një postim në Twitter, kryeministri Kurti tha këto sulme nuk do të pengojnë dhe ndalojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin ndërsa i bëri thirrje Serbisë “që të dënojë dhe të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë së Kosovës”.
Ndërsa shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela tha se sulmet e tilla “janë të shoqëruara me përpjekje dezinformuese që synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe atë politike në Kosovë”.
Edhe udhëheqësit e partive politike në Kosovë e dënuan sulmin duke e quajtur atë kriminal, që ka për qëllim cenimin e rendit dhe ligjit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se krimi i organizuar ka sulmuar policinë e Kosovës dhe se sipas tij këto akte kriminale janë alarm për të gjithë.
Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga zonat më pak të kontrolluara të vendit. Në raporte të ndryshme ndërkombëtare, veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga veprimtari të paligjshme. Në dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Grupi i udhëhequr nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviç, të cilin departamenti i Thesarit e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.
Ky grup akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta si dhe trafikim të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.