Lidhje

Shqipëri, PS nis përzgjedhjen e kandidaturave për presidentin e ri


Prime minister Edi Rama and the chairwoman of the Parliament Lindita Nikolla in Albania
Prime minister Edi Rama and the chairwoman of the Parliament Lindita Nikolla in Albania

Në Shqipëri, socialistët nisën sot procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për presidentin e ri të vendit. Ndërsa deputetët e majtë dorëzuan sot propozimet e tyre, socialistët pritet të organizojnë konsultime dhe me grupet parlamentare të opozitës, por dhe me shoqërinë civile. Socialistët i kanë të gjitha mundësitë ta zgjedhin dhe të vetëm kreun e ri të shtetit. Por kryeministri Edi Rama, shprehu gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist gatishmërinë për të pranuar dhe propozime nga opozita, duke theksuar se synimi nuk është të zgjedhin një president të Partisë socialiste, por një kryetar shteti për vendin. Opozita nga ana e saj foli për nevojën e një procesi transparent.

Shqipëri, PS nis përzgjedhjen e kandidaturave për presidentin e ri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00

Pesë vitet e presidentit Ilir Meta në krye të shtetit, për socialistët konsiderohen një eksperiencë për t’u harruar. Ata provuan pa sukses dy herë shkarkimin e tij. Prandaj, presidenti i ardhshëm, siç u shpreh sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar, “duhet të rrezatojë normalitet, të ketë integritet, të garantojë respekt të ndërsjelltë mes institucionit të presidentit dhe aleatëve strategjikë të Shqipërisë, e të përçojë dhe një frymë përbashkuese për të gjithë qytetarët përtej bindjeve të tyre politike. Dhe këtu – sipas zotit Rama - përzgjedhja është shumë më e ngushtë se sa do të ishte në sy të parë përzgjedhja e një pasuesi të presidentit më skandaloz, që ka njohur historia e atij institucioni dhe të presidentit më të papërsëritshëm në llojin e vet, që Shqipëria ka patur taksiratin për të patur mbi krye”.

Për zgjedhjen e presidentit parashikohen 5 raunde votimi. Në tre të parat nevojitet miratimi nga tre të pestat e deputetëve , ndërsa në dy raundet e fundit, një shumicë e thjeshtë, gjë që i jep mundësinë socialistëve ta zgjedhin dhe të vetëm kreun e ri të shtetit.

Shumica nisi sot një proces propozimesh të kandidaturave nga deputetët e saj, të cilët hodhën në një kuti, një fletë me nga tre emra secili. Përmes një adrese emaili, priten propozime dhe nga qytetarët, ndërsa nesër do të organizohet një konsultim dhe me shoqërinë civile.

Paralelisht do të hapen bisedimet dhe me grupet parlamentare të opozitës. “Nëse patjetër do të kemi propozime të arsyeshme prej tyre, nuk kemi asnjë arsye pse të mos i marrim në konsideratë. Përkundrazi. Nuk na duhet një president për PS, por për Shqipërinë. Dhe PS ka detyrimin t’I japi Shqipërisë një president që edhe ata të cilët nuk e kanë votuar, apo partitë e të cilëve nuk e kanë votuar, në rast se nuk e votojnë, të ndjehen të qetë, minimalisht të qetë se kanë një njeri normal aty”, deklaroi zoti Rama.

Takimet me përfaqësuesit e opozitës, siç shpjegoi kryetari i grupit socialist Taulant Balla, do të përqëndrohen fillimisht te hapat që duhen ndjekur. Socialistët kanë propozuar që zyrtarisht procesi të hapet më 29 Prill, me miratimin nga Konferenca e kryetarëve, në mënyrë që më 4 maj të realizohet votimit i parë.

Kreu i grupit parlamentar demokrat Enekelejd Alibeaj, foli për nevojën e një procesi transparent e gjithëpërfshirës. “Të gjithë e dimë se cila është procedura, që në raundin e 4 e 5 zgjidhet me votat e shumicës. Kjo nuk do të duhet përdorur, për të qenë të sinqertë me Kushtetutën dhe shqiptarët, si mjet për ta futur në zarf, e pastaj pjesa tjetër thjesht e vetëm të nxjerrë zarfin. Kjo do ta bënte groteske, joserioze, e nuk është gjë tjetër veçse ai që është qëndrimi real i shumicës në zgjedhjen e presidentit të shqiptarëve”, theksoi zoti Alibeaj.

Në të njëjtën linjë dhe kryetari i grupit tjetër të opozitës “Aleanca për ndryshim”, Fatmir Mediu, sipas të cilit është e nevojshme një përfaqësi e vetme e opozitës në bisedimet me shumicën. “Pavarësisht se përfaqësohet me grupe parlamentare të ndryshme, opozita të negociojë si një trupë e vetme, me një përfaqësi për të cilën duhet rënë dakort me të gjithë përfaqësuesit parlamentarë opozitarë”, shpjegoi zoti Mediu.

Por demokratët duhet të mbledhin grupin e tyre parlamentar për të vendosur se cila do të jetë qasja e tyre ndaj këtij procesi.

XS
SM
MD
LG