Lidhje

Shqipëri, plotësimi i vakancave në sistemin e drejtësisë, një problem kryesor


Në Shqipëri, sistemi i drejtësisë ka aktualisht mungesa të konsiderueshme për gjyqtarë dhe prokurorë, pasi shumë prej tyre u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen.

Plotësimi i këtyre vakancave është një nga sfidat kryesore, që po ndeshin institucionet e reja të drejtësisë, krahas reformimit të sistemit.

Plotësimi i vakancave në drejtësi, problem madhor në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Ndërsa autoritetet shqiptare kanë hartuar strategjinë e dytë të reformës në drejtësi për 4 vitet e ardhshme, studiuesit e kësaj fushe janë të përqëndruar tek rezultatet e saj aktuale. Instituti për Studime Publike & Ligjore (ISPL) po zhvillon projektin “Me Sytë nga Drejtësia”, i cili mat dhe monitoron ecurinë e reformës në drejtësi në përputhje me strategjinë përkatëse.

Ekspertët e Institutit pohojnë se pritshmëritë e qytetarëve nga reforma në drejtësi janë shumë të larta, dhe faza e dytë deri në 2025 synon fuqizimin e institucioneve të reja të drejtësisë, por masat e projektuara deri tani nuk përputhen sa duhet me objektivat e reformës.

“Jemi në një moment kur eficensa e reformës po vihet në dyshim. Këtu duhet ringritur dhe duhet riparë se çfarë nuk po funksionon tek mënyra se si është zbatuar reforma në 4-vjeçrin e parë. Amendimet që mund t’u bëhen ligjeve në pjesët që ato kanë shfaqur problematikë dhe qasja ligjore janë të rëndësishme, por ato nuk mund të konceptohen si qasje strategjike. Qytetari shqiptar nuk ka nevojë më për një reformë ligjore, por ai dëshiron ta ndjejë veten pjesë e një shërbimi tanimë nga reforma që nisi në vitin 2015” - thotë Borana Mustafaraj, eksperte ligjore e Institutit.

Ligjvënësit pohojnë se për suksesin e reformës në drejtësi nevojitet bashkëpunimi i të gjitë institucioneve.

Kryetarja e komisionit parlamentar të ligjeve, Klotilda Bushka thotë se është bërë tashmë një vlerësim i gjendjes dhe problemet e konstatuara do të zgjidhen ose me ndryshime ligjore ose masa të tjera. Çështje kryesore mbetet vendet bosh të prokurorëve dhe gjyqtarëve prej procesit të vetingut, tha ajo.

“E kam fjalën tek detaje që do ta ndihmonin sot sistemin të kapërcente disa sfida. Një nga më të rëndësishmet është plotësimi vakancave në gjykata dhe prokurori, që erdhën si pasojë e dorëheqjeve dhe vetingut. Kjo tashmë është një çështje që ka nevojë për adresim serioz, dhe një nga propozimet është që viti i tretë i Shkollës së Magjistraturës nga një vit praktike të kthehet në një vit pune” - thotë zonja Bushka.

Rezultatet e reformës në drejtësi duhet të jenë sa më të prekshme, ndërkohë që reforma është shumë dinamike dhe ka nxjerrë sfida të mëdha, tha në takim Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani.

“Po hasemi me sfida që nuk i kishim menduar as ata që kanë hartuan reformën dhe as ne që jemi përgjegjës për zbatimin e detyrimeve të institucioneve që përfaqësojmë, ndaj është shumë e rëndësishme që reforma në drejtësi të matet me indikatorë dhe me tregues konkretë” - thotë zoti Metani.

Ambasadori i Hollandës në Shqipëri, Reinout Vos, mbështetësi i projektit monitues, theksoi në tryezë se sundimi i ligjit është i rëndësishëm.

“Raport-progreset e fundit të BE-së për Shqipërinë flasin mbi një përparim të qartë për shtetin e së drejtës. Megjithatë ka ende punë përpara” - tha zoti Vos.

Ai citoi se Gjykata Europiane e Audituesve ka vlerësuar se Shqipëria ka bërë përparimin më të madh në fushën e pavarësisë së gjyqësorit, ndërsa thyerja që iu shkaktua sistemit nga shkalla dhe ritmi i ngadaltë i vetingut, ka ndikuar në mbështetjen e publikut për reformën në drejtësi, për shkak të numrit në rritje të çështjeve të grumbulluara, dhe rrezikon të dëmtojë perceptimin mbi legjitimitetin e saj.

Instituti për Studime Publike & Ligjore ka analizuar Strategjinë Ndër-Sektoriale të Drejtësisë deri në 2025 dhe ka përcaktuar indikatorët që do të monitorojë.

Një fazë e tretë e reformës mendohet deri në vitin 2030, por shumica e analistëve rendition si probleme aktuale vonesat e konsiderueshme në procesin e vetingut, në formimin dhe plotësimin e institucioneve të reja të drejtësisë, dhe ngadalësimin e punës nëpër gjykata e prokurori, ku janë mbledhur një numër i madh çështjesh gjyqësore.

XS
SM
MD
LG