Lidhje

Një e vdekur nga pasojat e tërmetit në Bosnje


Një person humbi jetën dhe të paktën dy të tjerë mbetën të plagosur nga pasojat e një tërmeti të fortë që goditi Bosnjën të premten vonë.

Tërmeti prej 5.7 shkallësh bëri që shumë qytetarë të ikin nga shtëpitë e tyre.

Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC), tha se tërmeti goditi 42 kilometra në juglindje të Mostarit, në orën 23:07 sipas orës së Evropës Qendrore.

Një grua 28-vjeçare vdiq dhe prindërit e saj mbetën të plagosur pasi një shkëmb i shkëputur nga lëkundjet, goditi shtëpinë e tyre në Stolac, afër Mostarit.

Sipas autoriteteve lokale dhe atyre të mbrojtjes civile, tërmeti që goditi në një thellësi prej 5 kilometrash, gjithashtu rrëzoi mure dhe shkaktoi dëme materiale në disa zona tjera, përfshirë Mostarin dhe qytetin e Ljubinjes.

Tërmeti ndje në të gjithë Ballkanin, përfshirë edhe Kosovën e Shqipërinë, e madje edhe në Italinë jugore.

Tërmetet nuk janë të rralla në rajonin e Ballkanit.

Në nëntor të vitit 2019, më shumë se 50 veta humbën jetën dhe mijëra mbetën pas kulm mbi kokë nga pasojat e një tërmeti prej 6.4 shkallësh që goditi Shqipërinë.

Një tërmet me fuqi të ngjashme goditi ne dhjetor të vitit 2020 në Petrinje afër Zagrebit, kryeqytetit të Kroacisë, duke vrarë shtatë veta dhe duke shkatërruar qindra ndërtesa.

XS
SM
MD
LG