Ukraina mohoi të hënën të kishte arritur një marrëveshje me Rusinë për evakuimin e civilëve nga një fabrikë çeliku në qytetin jugor të Mariupolit dhe kërkoi që Kombet e Bashkuara të jenë "iniciatori dhe garantuesi" i çdo marrëveshjeje të tillë.
Rusia kishte thënë më herët të hënën se do të hapte një korridor humanitar për largimin e civilëve nga fabrika e madhe Azovstal e çelikut ku ata dhe luftëtarë ukrainas janë bllokuar dhe janë bërë objekt i sulmit rus.
"Është e rëndësishme të kuptohet që një korridor humanitar duhet të hapet me marrëveshjen e të dyja palëve. Një korridor i shpallur në mënyrë të njëanshme nuk ofron siguri dhe rrjedhimisht nuk është një korridor humanitar," tha zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk në platformën Telegram.
Një ndihmës i Presidentit Volodymyr Zelenskiy tha se forcat ruse po sulmonin fabrikën e çelikut nga ajri, si edhe me artileri dhe tanke.
Presidenti rus Vladimir Putin kishte thënë javën e kaluar se ishte e panevojshme të sulmohej fabrika, ku po strehohen ushtarët e fundit ukrainas të mbetur në Mariupol pas dy muajsh rrethimi dhe bombardimi rus.
Ukraina ka bërë thirrje që Kombet e Bashkuara "të jenë nismëtare dhe garantuese të korridorit humanitar nga Azovstali për civilët", tha zonja Vereshchuk. Ajo tha se zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq duhet të jenë të pranishëm kur të krijohet korridori.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili ka kërkuar një armëpushim humanitar në Ukrainë, do të takohet me presidentin Putin në Moskë të martën dhe me presidentin Zelenskyy në Kiev të enjten.
Ministria e Jashtme ruse tha se Moska synonte të diskutonte lidhur me Mariupolin dhe uzinën Azovstal me zotin Guterres, njoftoi agjencia ruse e lajmeve RIA.
Zoti Guterres takoi presidentin turk Tajip Erdogan të hënën dhe ata "theksuan nevojën urgjente" për korridore humanitare për të evakuuar civilët dhe për të ofruar ndihma, thanë Kombet e Bashkuara.
Megjithatë, zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy tha se një armëpushim vetëm do të mundësonte rigrupimin e forcave ukrainase.
"Ne nuk mendojmë se një armëpushim është alternativë e mirë aktualisht," u tha zoti Polyanskiy gazetarëve, por shtoi se nuk është në dorën e tij të vendosë për një gjë të tillë.
Sekretari i Përgjitshëm i OKB-së kishte bërë thirrje për një pauzë katër-ditore në luftime për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës së kaluar, por thirrja e tij nuk u mor parasysh.
Moska, e cila i cilëson veprimet e saj në Ukrainë si një "operacion special ushtarak", mohon të ketë vënë në shënjestër civilët. Ajo fajëson Ukrainën për dështimin e përsëritur të hapjes së korridoreve humanitare.