Lidhje

SHBA: Nënpresidentja Harris e infektuar me COVID-19


Nënpresidentja Kamala Harris

Zyra e Nënpresidentes së Shteteve të Bashkuara njoftoi të martën se zonja Kamala Harris u diagnostikua me COVID-19, të njëjtën ditë që administrata shpalosi planet për shtimin e qasjes ndaj ilaçit antiviral Plaxlovid për trajtimin e sëmundjes që shkakton virusi.

Një javë përpara se nënpresidentja Harris të rezultonte pozitive për COVID-19, ajo mori pjesë në festimet e Pashkëve në oborrin e Shtëpisë së Bardhë me rreth 30,000 të ftuar, përfshi fëmijë.

Shtëpia e Bardhë tha se që atëherë, ajo nuk kishte qenë në kontakt të ngushtë me Presidentin Joe Biden apo Zonjën e Parë Jill Biden.

“Kemi një sistem të rregullt testimi dhe nënpresidentja u testua këtë mëngjes, në përputhje me rregulloren. Ndërsa të tjerët, kushdo që do të jetë pranë presidentit, për të udhëtuar me të ose për takim në Zyrën Ovale, testohet po atë ditë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Zonja Harris u diagnostikua të njëjtën ditë që administrata njoftoi planet për të zgjeruar qasjen ndaj ilaçit Paxlovid, një pilulë antivirale e prodhuar nga firma Pfizer për të luftuar COVID-19, si edhe për të shtuar programet e testimit me synim trajtimin. Individët që testohen në klinika dhe farmaci dhe rezultojnë të infektuar, trajtohen me ilaçin për një periudhë pesë-ditore.

Dr. Ashish Jha është koordinator i Shtëpisë së Bardhë për reagimin daj COVID-19.

Ashish Jha
Ashish Jha

“Synimi është zbutja e simptomave të sëmundjes në rast infektimi dhe ulja e vdekjeve”.

Ndërkohë, në fillim të kësaj jave, një gjykatës federal në Luiziana bllokoi përkohësisht administratën e Presidentit Biden për t’i dhënë fund një ligji të emergjencës shëndetësore të kohës së Presidentit Trump që lejonte autoritetet e kufirit me Meksikën për të kthyer mbrapsht migrantët për shkak të shqetësimeve të pandemisë.

Vendimi u vlerësua nga shtetet republikane, përfshirë Misurin dhe Teksasin, që i kërkuan administratës së Presidentit Biden që të mbajë azilkërkuesit në Meksikë në pritje të procesit.

Eric Schmitt
Eric Schmitt

“Është një fitore e madhe për sigurinë kufitare dhe sundimin e ligjit. Ne do të kthehemi në gjykatë më 13 maj”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Misurit Eric Schmitt.

Disa analistë thonë se vendimi për ligjin e emergjencës shëndetësore në kufi mund të ofrojë një mundësi për administratën për të trajtuar çështjet e imigracionit.

“Jo vetëm koordinimi brenda vendit, por edhe që të punohet ngushtë me vendet partnere në atë rajon, që nga Meksika e deri në Panama dhe Kolumbi, në mënyrë që të ketë një reagim më të mirë për t’u përballur me prurjet në të ardhmen. Jo vetëm lidhur me ligjin e emergjencës shëndetësore, por flukset e migracionit në të ardhmen, ndaj mendojmë se është një gjë e mirë”, thotë për Zërin e Amerikës Ariel Ruiz Soto me Institutin e Politikave të Migracionit.

Disa ligjvënës republikanë e kanë përdorur ligjin e emergjencës shëndetësore si mjet negocimi. Ata thonë se nëse administrata beson se COVID-19 nuk përbën më problem në kufi, Kongresi nuk duhet të miratojë paketën prej 5 miliardë dollarësh të reagimit global ndaj pandemisë për të mbështetur përpjekjet e vaksinimit në botë.

Administrata thotë se paketa në fjalë është e domosdoshme.

Ndërsa Presidenti Biden do të drejtojë një samit virtual botëror për pandeminë në më pak se tre javë, administrata gjendet në trysni për të treguar se mund të miratojë fonde për të financuar reagimin e saj global ndaj pandemisë, ndërsa u kërkon vendeve të tjera të rrisin ndihmën e tyre për të financuar përpjekjen.

XS
SM
MD
LG