Lidhje

Shqipëri, tryezë ndërkombëtare mbi tregun energjitik dhe pavarësinë nga gazi rus


Shqipëria organizoi sot një tryezë të përbashkët me disa kompani të mëdha në tregun e energjisë nga SHBA dhe BE.

Në takimin “Përtej Kufijve” u diskutua mbi tregun e qëndrueshëm energjitik, ekonomisë me karbon të pakët, si dhe me pavarësinë nga gazi rus.

Shqipëri, tryezë ndërkombëtare mbi tregun energjitik dhe pavarësinë nga gazi rus
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Pjesëmarrësit në takimin për tregun e energjisë, diplomatë, zyrtarë të lartë e biznesmenë, pohuan se rritja e sigurisë energjitike të Europës është e lidhur me sigurinë klimatike dhe atë kombëtare të secilit vend, siç po provohet gjatë luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Zëvendës ndihmës sekretarja për diplomacinë e energjisë dhe e zyrës së burimeve energjitike në Departamentin amerikan të Shtetit, Laura Lohman, theksoi në fjalën e saj nga Uashingtoni në tryezë se “siguria energjitike e Europës, e përputhur me objektivat amerikane të klimës, është përparësi e SHBA-ve edhe përpara se Rusia të niste luftën kundër Ukrainës”.

Ajo tha se politikat amerikane janë përqëndruar tek shtimi i larmisë së burimeve energjitike prej rrugëve, furnizuesve dhe llojeve të karburanteve; energji bërthamore, e rinovueshme dhe gaz i lëngshëm.

Nismat amerikane nxitën inovacionin energjitik dhe shpërndarjen e saj, thotë zonja Lohman, sepse SHBA synojnë të shkarbonizojë industritë dhe të ulin ndikimin e saj mbi natyrën, ndaj pavarësia e BE nga gazi rus është shumë e rëndësishme.

“Lufta e Putinit ndaj Ukrainës dhe lajmet për krime të tmerrshme nënvizojnë nevojën e Europës për të rritur pavarësinë e saj nga gazi rus. Kjo luftë rrit urgjencën e arritjes së pavarësisë energjitike dhe të çojmë përpara tranzicionin drejt energjisë së pastër, në mënyrë që Rusia të mos jetë e aftë të përdorë karburantet fosile për ndikime politike” – tha zonja Lochman.

Diplomatja amerikane theksoi se pavarësia nga gazi rus nuk mund të ndodhë brenda natës dhe është sfidë më vete, sepse do të duhen vite që Europa të çlirohet nga varësia prej 150 milionë metër kub gaz rus i përvitshëm.

Ajo shtoi se sanksionet amerikane së bashku me ato të aleatëve dhe partnerëve të SHBA do të ndikojnë tek presidenti rus dhe ekonomia ruse duke zvogëluar dëmin ndaj SHBA dhe aleatëve të saj.

Zonja Lohman tha se duhet zbutur ndikimi potencial i North Stream 2 përpara se të mbyllet, ndërsa kompanitë amerikane dhe ato europiane po investojnë në gazin e lëngshëm dhe në interkoneksionin, duke ecur drejt energjisë së pastër, me ujë, diell dhe erë, si dhe larg karburanteve fosile.

Mbrojtja e klimës është çështje e sigurisë kombëtare dhe ekonomike e SHBA dhe dekada e viteve 2020 është koha e përshpejtimit të tranzicionit drejt energjisë së pastër, njëkohësisht me pavarësinë nga gazi rus, thotë zonja Lochman.

“Ne pranojmë dhe e dimë se ky trazicion drejt energjisë së pastër është një proces që kërkon kohë dhe duhet përshpejtuar. Diversifikimi është i nevojshëm në lloje të ndryshme energjie, dhe gjatë tranzicionit në energji të rinovueshme larg karburanteve të fosileve dhe kjo kërkon gjithë bashkëpunimin tonë” - tha zonja Lochman.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ftoi vendet dhe kompanitë pjesëmarrëse të bashkëpunojnë pa humbur kohë për të realizuar projekte në fushën energjitike dhe për të krijuar një arkitekturë të re të sektorit energjetik shqiptar.

Ai përmendi vizitën e disa ditëve më parë në Azerbaixhan, ku presidenti Aliev i shprehu interes për projektin jonian të transmetimit të gazit.

“Pashë me kënaqësi në fjalët e tij interesin e lartë për t’u përfshirë në tubacionin e ri adriatiko-jonian, i cili mund të jetë një tjetër ndryshues i madh i lojës në rajonin tonë, por në të njëjtën kohë mund të jetë një fuqi energjike për Europën” - tha zoti Rama.

Zoti Rama tha se ky projekt mund ta ndihmojë Europën që sa më shpejt e mundur të fitojë pavarësi nga gazi rus.

TEC i Vlorës po shndërrohet në një impiant të prodhimit të energjisë me gaz, ndërkohë që në territorin shqiptar kalojnë tubacionet e TAP, TransAdriatic Pipeline.

Shqipëria po zhvillon prodhimin e energjisë elektrike prej diellit, erës, dhe ujit, me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, i cili do të rritë me 20 për qind prodhimin e energjisë elektrike nga uji. Shqipëria synon që brenda kësaj dekade të bëhet një vend eksportues energjie.

XS
SM
MD
LG