Kryediplomatja britanike u bëri thirrje të mërkurën aleatëve perëndimorë që të dërgojnë tanke, avionë ushtarakë dhe armë të tjera të rënda në Ukrainë, duke thënë se frika e përshkallëzimit të luftës ishte e gabuar dhe se "mosveprimi do të ishte provokimi më i madh".
Sekretarja e Jashtme, Liz Truss, tha se "është koha për guxim, jo për kujdes” midis kombeve që ndihmojnë Ukrainën të luftojë kundër agresionit rus.
“Armë të rënda, tanke, avionë, të gërmojmë thellë në inventarët tanë, të rrisim r prodhimin. Ne duhet t'i bëjmë të gjitha këto", tha sekretarja Truss gjatë një fjalimi vjetor për politikën e jashtme në Mansion House, rezidenca e Lordit të Bashkisë së Londrës.
“Ne duhet të sigurohemi që krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia dhe Gjeorgjia të kenë qëndrueshmërinë dhe aftësitë për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre. Politika e dyerve të hapura të NATO-s është e shenjtë. Nëse Finlanda dhe Suedia zgjedhin të bashkohen si përgjigje ndaj agresionit të Rusisë, ne duhet t'i integrojmë ato sa më shpejt të jetë e mundur", tha zonja Truss.
Vendet e NATO-s e kanë furnizuar Ukrainën me armë dhe pajisje ushtarake, duke përfshirë raketa dhe automjete të blinduara. Por, ata janë mëdyshur të dërgojnë avionë luftarakë, pavarësisht thirrjeve të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, nga frika e përshkallëzimit. Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka akuzuar tashmë NATO-n se po zhvillon në mënyrë efektive një luftë kundër Rusisë nëpërmjet Ukrainës.
Zyrtarët perëndimorë e mohojnë këtë, duke thënë se konflikti është midis Rusisë dhe Ukrainës për shkak të agresionit të paligjshëm të Rusisë ndaj fqinjit të saj.
Britania ka dërguar ndihmë ushtarake prej 450 milionë funtesh (rreth (565 milionë dollarë) në Ukrainë, duke përfshirë mijëra raketa. Por, pavarësisht thirrjeve të sekretares Truss për dërgim avionësh, zëdhënësi i kryeministrit britanik Boris Johnson, Max Blain, tha se "nuk kishte plane" që Britania e Madhe të dërgojë avionë. Ai nuk përjashtoi mundësinë që Britania të dërgonte aeroplanë në një vend tjetër, si Polonia, që më pas do t'i jepte avionët e saj Ukrainës, por tha se nuk kishte "plane specifike" për ta bërë këtë.
Sekretarja Truss tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës duhet të jetë një thirrje zgjimi për institucionet ndërkombëtare që nuk arritën të parandalonin agresionin.
"Arkitektura që ishte projektuar për të garantuar paqen dhe pëprarimin, dështoi në Ukrainë”, tha zonja Truss. “Strukturat ekonomike dhe të sigurisë të zhvilluara pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës së Ftohtë, ishin aq jo të përgatitura saqë kanë mundësuar, në vend që të frenojnë agresionin”.
Sekretarja Truss tha se presidenti rus Vladimir Putin, po shkatërron rendin botëror dhe po ua hedh institucioneve ndërkombëtare.
“Rusia është në gjendje të bllokojë çdo veprim efektiv në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, ku ajo ka të drejtën e vetos si anëtare e përhershme, tha ajo, duke shtuar se klubi i grupit të 20 vendeve të pasura dhe të zhvilluara, “nuk mund të funksionojë si një organ efektiv ekonomik ndërsa Rusia mbetet në tryezë”.
Zonja Truss bëri thirrje për një përqendrim të ri në "forcën ushtarake, sigurinë ekonomike dhe aleancat më të thella botërore" midis "kombeve të lira".
Pas një periudhe të rënies së shpenzimeve ushtarake në shumë vende, përfshirë Britaninë, ajo tha se qëllimi i NATO-s që vendet të shpenzojnë 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në fushën e mbrojtjes duhet të jetë "themeli dhe jo tavani”.
Zonja Truss bëri thirrje gjithashtu për sanksione më të ashpra ekonomike ndaj Rusisë, duke thënë se perëndimi duhet të ndërpresë importet e naftës dhe gazit rus "një herë e përgjithmonë". Kjo do të ishte një gjë më e lehtë për t'u bërë për Britaninë sesa për shumë vende të tjera evropiane.
“Nëse Putin ia del mbanë, do të ketë mjerim të mëtejshëm të paparë në gjithë Evropën dhe pasoja të tmerrshme në gjithë globin”, tha ajo. “Nuk do të ndjeheshim më kurrë të sigurt. Kështu që ne duhet të jemi të përgatitur për një afat të gjatë dhe të dyfishojmë mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha zonja Truss.