Lidhje

Shqipëri, mediat dhe diversiteti, pakicat ankohen për diskriminim


Në Shqipëri, mediat nuk pasqyrojnë si duhet diversitetin e shoqërisë dhe diskriminojnë pakicat e të gjithë llojeve.

Media dhe diversiteti, pakicat ankohen për diskriminim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Kështu pohuan sot në një tryezë debati studiues të medias dhe pjesëtarë të grupimeve të ndryshme etnike, fetare, gjinore, si dhe ata me aftësi të veçanta.

Ata vërejtën se media shqiptare i diskriminon shtresat e margjinalizuara, duke shkelur etikën ose duke heshtur për të drejtat dhe nevojat e tyre.

Përfaqësues të pakicave kombëtare, të personave me aftësi të kufizuara, të besimeve fetare të ndryshme, organizata që mbrojnë fëmijët, gratë e vajzat si dhe nga komuniteti LGBTI renditën sot një seri shkeljesh etike dhe diskriminimin, që mediat bëjnë kur raportojnë për ta.

Ata debatuan sot në një tryezë të Institutit Shqiptar të Medias mbi mënyrën si mediat pasqyrojnë diversitetin e shoqërisë.

Nënkryetari i Komitetit për Pakicat Kombëtare, Sead Kazanxhiu, thotë se mediat private nuk shkruajnë mbi të drejtat dhe diversitetin e pakicave kombëtare, por ato shihen me nënvlerësim, ndonëse prej 5 vjetësh është miratuar një ligj i posaçëm për njohjen e të drejtave, kulturës dhe traditave të tyre.

“Pakicat shihen shpesh herë në mënyrë ekzotike dhe paragjykuese, sidomos shtresat e marxhinalizuara diskriminohen gjatë paraqitjes në media. Nevojitet që media të bëhet më shumë e thelluar e më profesionale kur raporton mbi pakicat kombëtare në programet e saj” - thotë zoti Kazanxhiu. Ai shtoi se një seri rastesh janë denoncuar te Komisioneri kundër Diskriminimit dhe te Autoriteti i Mediave AudioVizive, por mediat nuk janë të informuara sa duhet mbi pakicat kombëtare.

Nga vëzhgimet profesionale doli se mediat shqiptare nuk raportojnë mbi personat me aftësi të vecanta nga këndvështimi i të drejtave të njeriut, por shpesh i portretizojnë me terma të papërshtatshëm, duke mos i respektuar si qytetarë me pasionet dhe profesionet e tyre.

Juristja Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”, thotë se personat me aftësi ndryshe shpesh segregohen në emisione televizive që kanë të bëjnë vetëm për ta, ku del se vetëm ankohen për mbijetesën, por ata nuk ftohen në emisione televizive për të dhënë mendime në fushat e profesioneve të tyre si pjesë e komuniteteve profesionale dhe qytetare në grupe të tjera interesi si pjesë e shoqërisë dhe e diversitetit njerëzor, gjë që do të përmirësonte ndjeshëm perceptimin e publikut ndaj tyre.

“Vazhdon portretizimi se janë njerëz për gjynah, për t’u mëshiruar, se janë të sëmurë. Personat me aftësi të kufizuara janë si gjithë të tjerët në shoqëri, që kanë talentet dhe pasionet si dhe të metat e tyre” - thotë zonja Lala.

Në temat fetare media shpesh herë merret me anën sipërfaqësore dhe jo me thelbin, pohojnë vëzhguesit.

Përfaqësuesi i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, Sokol Lulgjuraj, thotë se mediat largohen edhe më shumë nga thelbi i çështjes fetare, kur pranë klerikëve vijnë edhe politikanët, të cilët i pyesin për tema nga më të ndryshmet në dyert e objekteve fetare, ku janë për tjetër ngjarje, duke shkelur etikën e besimit fetar, madje ka ndodhur edhe që mediat nuk pasqyrojnë ngjarje fetare, sepse nuk iu duken interesante.

“Nganjëherë nëse nuk vijnë politikanë në ngjarje fetare, gazetarët harrojnë fare. Ne kemi një marshim paqeje, që e bëjmë prej 20 vjetësh në janar, ku mblidhen gjithë komunitetet fetare, të rinj e të reja për të dhënë mesazhin e paqes, por mediat kombatëre as I bie ndër mend se çfarë ndodh e çfarë mesazhesh të larta humane jepen në këto tubime kaq madhore” - thotë zoti Lulgjuraj.

Megjithatë, ai shtoi se diskriminime fetare në media nuk shihen dhe se kur jepet ndonjë fjali e pasaktë për fetë, ajo vjen nga pakujdesia dhe mosinformimi, e jo nga keqadashja a provokime të qëllimshme.

Drejtuesi i Institutit të Medias, Remzi Lani, thotë se ndryshe nga raportimi mbi minoritetet, shoqërisë shqiptare i nevojitet më shumë raportimi i diversitetit në shoqëri, sepse media e ka për detyrë ta pasqyrojë botën e larmishme, sic ajo është, në etni, besime, orientime gjinore, aftësi të ndryshme. Por Shqipëria dhe Ballkani mbizotërohen nga kultura e maxhoritizmit, e hegjemonizmit, gjë që i çon grupet minoritare në periferi të shoqërisë dhe në skajet e vëmendjes së medias.

“Kjo ndodh me romët, me emigrantët, LGBTI-të, me njerëzit e aftësve ndryshe etj. Krahas Hate Speech, ndodh ajo që unë e quaj Hate Silence, harresa, neglizhenca, që është po aq e dëmshme se sa sulmi, sharja dhe fyerja. Mendoj se ekziston edhe një lloj tjetër që unë e quaj Fake Speech, një përzjerje e lajmeve të rreme, keqinformimit dhe teorive konspirative, të cilat prapë subjekte kanë këto grupe të margjinalizuara” - thotë zoti Lani.

Studiuesit pohuan se në Shqipëri mbizotërojnë fjalimet e urrjetjes politike, por janë të pranishme edhe fjalimet e urrejtjes kundër minoriteteve etnike, fetare.

Ata pohuan se mediat e reja elektronike krijuan hapësira të reja lirie, por edhe sollën hapësira të reja abuzimi me lirinë e medias, dhe problemet janë shtuar dhe janë bërë më të mprehta.

XS
SM
MD
LG