Lidhje

Maqedoni e Veriut, Sindikata e Arsimit ndërpret përkohësisht grevën në shkolla


Sindikata e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës (SASHK) bëri të ditur të enjten pasdite se Këshilli i Sindikatës ka vendosur që greva e mësimdhënësve të ndërpritet përkohësisht derisa të gjendet një zgjidhje paqësore e problemit me autoritetet qeveritare. Por, ky paralajmërim nuk është pritur mirë nga anëtarët e Sindikatës, ndërsa një pjesë e tyre kanë dalë për të protestuar para selisë së SASHK në Shkup.

Kreu i Sindikatës, Jakim Nedelkov u tha gazetarëve se vendimi për pezullimin e grevës në shkolla (nëntëvjeçare dhe të mesme) merret me qëllim të mosdëmtimit të nxënësve, të cilët tanimë dy javë nuk janë në mësim. SASHK shpreson se Ministria e Arsimit do të marrë parasysh kërkesat e punonjësve të arsimit për ngritjen e rrogave.

Ndërkohë, Ministria i ofroi para pak ditësh Sindikatës një rritje prej 12 përqind të pagave të mësimdhënësve dhe punonjësve të kopshteve të fëmijëve, por vetëm këta të fundit e pranuar ofertën dhe i dhanë fund grevës. SASHK hoqi dorë nga marrëveshja paraprake me Ministrinë e Arsimit pas trysnive të një pjese të anëtarëve të saj, të cilët u mblodhën për të protestuar më 25 prill, të pakënaqur me rritjen vetëm prej 12% të pagave mujore.

Mësimdhënësit, ndërkohë, ngulin këmbë që rroga t’u ngritet për 18,4%.

Shkollat do të hapen nga dita e premte (29 prill). Ndërkaq, SASHK kërcënon se nëse nuk gjendet zgjidhje brenda një afati të arsyeshëm, greva do të riaktivizohet.

Rroga në arsim është prej 400 deri në 450 euro. Shpërthimi i pakënaqësive të sindikatave lindi pas ngritjes së rrogës minimale mujore në rreth 292 euro. Greva e sindikalistëve ka fillimisht hasi në solidaritetin e opinionit te gjerë publik në vend, por më pas u shtuan kritikat ndaj mësimdhënësve të cilët nuk po merrnin në konsideratë humbjen e gjatë të mësimit të nxënëve.

Qeveria, ndërkohë thotë se ngritja e pagave do të bëhet shkallë – shkallë edhe në fusha të tjera, përfshirë arsimin, por se kjo nuk mund të ndodh me shantazhe dhe kërcënime.

Vendi ndodhet në një krizë ekonomike dhe energjetike që kanë shkaktuar rritjen e çmimeve në treg, ndërkohë që autoritetet qeveritare dhe bankare përjashtojnë rrezikun nga inflacioni dhe sigurojnë që monedha kombëtare denari është dhe do të vazhdojë të jetë stabil.

XS
SM
MD
LG