Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten në mbrëmje qeverinë e re të vendit, kryeministër i së cilës do të jetë Dritan Abazoviq.
45 deputetë votuan në favor të qeverisë së re, ndërsa 3 votuan kundër.
Qeveria e re u zgjodh me votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Millo Gjukanoviq, Partisë Popullore Socialiste, Lëvizjes Qytetare URA, Partisë Socialdemokrate
, Partisë Boshnjake, partive shqiptare dhe Partisë Liberale. Vetëm deputetët e Socialdemokratëve të Malit të Zi ishin kundër.
Deputetët e partisë pro-serbe Fronti Demokratik dhe Partisë që drejtonte qeverinë e mëparshme, Demokratët e Malit të Zi, nuk morën pjesë në seancë.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell përshëndeti qeverinë e re të kryeministrit Abazoviq.
“Pres me padurim të punojmë së bashku për përparim të prekshëm në rrugën drejt BE-së. Mali i Zi është një partner i besueshëm, i harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së”, shkroi zoti Borrell në rrjetet sociale.
Duke paraqitur programin e punës të qeverisë së 43-të të vendit gjatë seancës, zoti Abazoviq vuri në dukje, se ajo do të bazohet në dy shtylla kryesore - shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik.
“Sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik do të jenë dy shtyllat kryesore të qeverisë së re. Ato kanë pesë fusha prioritare të veprimit dhe ato janë: lufta kundër korrupsionit, investime më të qëndrueshme, integrimi në Bashkimin Evropian, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit”, tha zoti Abazoviq.
Zoti Abazoviq, tha se vetëm me mirëkuptim të ndërsjellët, respekt dhe gatishmëri për të vënë interesin shtetëror para interesave personale dhe partiake, vendi mund të ecë përpara.
Ndër prioritetet e qeverisë ai theksoi “Marrëveshjen për zgjedhjen e bartësve të pozitave më të larta gjyqësore, marrëveshjen për krijimin e organeve dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe funksionale në të cilat do të nënkuptohet sjelljet e ligjshme; harmonizimin e legjislacionit në fushën e drejtësisë me standardet e Komisionit Evropian dhe opinionet e Komisionit të Venecias; Ligji për ekzaminimin e origjinës së pasurisë “etj.
Qeveria do të ketë 18 ministra dhe katër zëvendëskryeministra.
Në seancën e paradites, parlamenti zgjodhi Danijela Gjuroviqin, nga radhët e Partisë Popullore Socialiste, si kryetare të parlamentit.
Qeveria e re pason atë të ish kryeministrit Zdravko Krivokapiq, i cili humbi votëbesimin në dhjetor të vitit 2020.
Rrëzimi i qeverisë pasoi krizën disamuajshe në marrëdhëniet mes parlamentit dhe qeverisë, si dhe brenda vetë qeverisë.