Lidhje

Kosova dhe Serbia me 13 maj bisedojnë për targat e makinave


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të premten se palët do të takohen me 13 maj për të vazhduar bisedimet në përpjekje për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për përdorimin e targave të makinave.

“Më vjen mirë të njoftoj se pas këshillimeve me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ramë dakord të vazhdojmë diskutimet në Bruksel më 13 maj, për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Javën e kaluar palët dështuan të arrijnë një marrëveshje ndonëse 21 prilli ishte caktuar si afat për këtë çështje.

Kosova dhe Serbia që nga fillimi i tetorit i vitit të kaluar zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës, makinat e dy vendeve janë të detyruara të vendosin fletë ngjitëse në targat e tyre deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Marrëveshja e përkohshme u arrit më 30 shtator pas disa ditë trazirash në veriun e Kosovës, ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për përdorimin e targave.

Bashkimi Evropian shpreson që përveç marrëveshjes për targat të sigurojë edhe një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nuk ka ndodhur që nga korriku i vitit të kaluar.

Në fillim të javës, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, bëri thirrje në Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si rrugë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit.

Gjatë takimeve me udhëheqësit e Kosovës ajo tha se tha se “status quo-ja” është e paqëndrueshme dhe jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por është përfitim për Kremlinin”.

XS
SM
MD
LG