Lidhje

SHBA, BE paralajmërojnë kundër dorëzimit para shantazhit rus me gaz


Russia Ukraine War EU Gas

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar anëtarët e tij se pagesat në rubla për gazin rus do të shkelnin sanksionet ndaj Moskës. Rusia ndërpreu të mërkurën furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, disa shtete të BE-së kanë krijuar llogari bankare ruse në përpjekje për të shmangur sanksionet.

SHBA, BE paralajmërojnë kundër dorëzimit para shantazhit rus me gaz
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Rusia ka kërkuar, që ato vende evropiane, që ajo i quan 'jomiqësore', të paguajnë faturat e tyre të gazit në rubla - si një mënyrë për të mbështetur monedhën ruse përballë sanksioneve perëndimore.

Polonia dhe Bullgaria refuzuan të paguanin në rubla dhe firma shtetërore ruse Gazprom tha të mërkurën se kishte ndërprerë furnizimet për to. Polonia ishte e qetë në reagimin e saj.

“Falë veprimeve tona, duke nisur nga vjeshta, Polonia nuk do të ketë më nevojë për gazin rus. Ne do ta përballojmë tani edhe këtë shantazh, në mënyrë që polakët të mos e ndjejnë”, tha kryeministri Mateusz Morawiecki.

Duke vizituar qytetin e shkatërruar Borodyanka në Ukrainë të enjten, kryeministri i Bullgarisë tha se vendi i tij mund ta përballonte situatën pa gazin rus.

Polonia dhe Bullgaria kishin refuzuar të zgjasin kontratat e tyre të gazit me Gazpromin rus pas këtij viti. Të dy vendet po gjejnë burime të tjera furnizimi, përmes tubacioneve të reja dhe gazit natyror të lëngshëm.

“Polonia do të ndërtojë një gazsjellës të ri, që do ta lidhë atë drejtpërdrejt me Norvegjinë. Ekziston një gazsjellës i dytë midis Greqisë dhe Bullgarisë, i cili do të transportojë posaçërisht gazin azerbajxhan”, thotë analisti Tom Marzec-Manser.

Por shumë shtete evropiane vazhdojnë të importojnë gaz nga Rusia. Evropa thotë se kontratat përcaktojnë se pagesat duhet të bëhen në euro, ose dollarë.

Disa kompani gazi – duke përfshirë ato nga Gjermania, Austria, Hungaria dhe Sllovakia – me insistimin e Moskës, kanë hapur llogari me bankën e Gazpromit në Zvicër. Kontratat paguhen në euro, por kthehen menjëherë në rubla.

Kancelari gjerman tha se vendi nuk mund të rrezikojë të humbasë furnizimin me gaz rus në afat të shkurtër.

“Është e qartë se çdo ndërprerje do të kishte pasoja për situatën ekonomike. Qeveria është gjithashtu shumë e qartë për këtë” , tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Bashkimi Evropian paralajmëroi të mërkurën vendet anëtare që të mos dorëzohen, ndaj asaj që e quajti shantazh rus.

“Kompanitë me kontrata të tilla nuk duhet të pranojnë kërkesat ruse. Kjo do të ishte një shkelje e sanksioneve. Pra, një rrezik i lartë për kompanitë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Nuk është ende e qartë, nëse këto kompani gazi do të përballen me ndëshkime për pagesat përmes bankës së Gazpromit.

Ndërkohë, presidenti Joe Biden tha të enjten se Shtetet e Bashkuara po ndihmonte aleatët evropianë të gjejnë burime alternative gazi.

“Ne nuk do ta lejojmë Rusinë të frikësojë apo shantazhojë për të shmangur sanksionet. Ne nuk do t'i lejojmë ata të përdorin naftën dhe gazin, për të shmangur pasojat për agresionin e tyre", tha presidenti Biden.

Vendet evropiane thonë se po bëjnë përgatitje, në rast se Rusia mbyll plotësisht furnizimet me gaz. Por analistët thonë se një veprim i tillë do t'i kushtonte gjithashtu Kremlinit, qindra miliarda dollarë në vit.

XS
SM
MD
LG