Lidhje

Presidenti Biden zotohet të mbrojë të drejtën për abort pasi të jepet vendimi i Gjykatës së Lartë


Presidenti Biden duke folur nga Baza Andrews përpara nisjes për në Alabama (3 maj 2022)
Presidenti Biden duke folur nga Baza Andrews përpara nisjes për në Alabama (3 maj 2022)

UASHINGTON – Gjykata e Lartë amerikane njihet për ruajtjen e konfidencialitetit. Vit pas viti, çështje pas çështjeje, nuk rrjedh asnjë informacion, përveç asaj që gjykatësit shprehin gjatë argumentave verbale, që do të sugjeronte se çfarë vendimi do të merrnin.

Por kjo traditë ndryshoi të hënën, kur portali “Politiko” publikoi materialet e një opinioni të shkruar për një prej çështjeve më të rëndësishme, abortin, vendimi për të cilin pritet të dalë pas disa muajsh. Megjithëse ka patur raste të rralla kur ka rrjedhur informacion për vendimet, publikimi i një projekt-vendimi prej gati 100 faqesh është i paprecedentë. Me të dalë lajmi, gjatë orëve të natës, pati protesta përpara godinës së Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts e konfirmoi ekzistencën e dokumentit, duke e quajtur rrjedhjen e tij "një akt të shëmtuar të shkeljes së besimit". Në dokument thuhet se opinioni i gjykatës u paraqit nga Gjykatësi Samuel Alito dhe se iu shpërnda anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë në muajin shkurt. Gjykatësi Alito është pjesë e shumicës prej gjashtë gjykatësish konservatorë.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara (23 prill 2021)
Anëtarët e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara (23 prill 2021)

Presidenti Joe Biden u zotua të martën të mbrojë të drejtën për abort dhe paralajmëroi se një vendim i mundshëm i Gjykatës së Lartë do të dëmtonte edhe liritë e tjera që gëzojnë amerikanët.

Presidenti e bëri të qartë se administrata e tij është e gatshme të mbrojë të drejtën për abort pasi të jepet vendimi i gjykatës. Ai tha se vendimi mund të ketë efekte përtej të drejtës së grave për të ndërprerë shtatëzaninë, duke përmendur martesat ndërmjet të njëjtës gjini dhe liri të tjera.

"Kjo do të thoshte që çdo vendim tjetër i lidhur me nocionin e privatësisë do të vihej në pikëpyetje", u tha Presidenti Biden gazetarëve në Bazën Andrews në rrethinat e Uashingtonit, përpara se të nisej drejt shtetit Alabama. "Është një ndryshim themelor në jurisprudencën amerikane".

Aborti ka qenë një pikë e nxehtë mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara për dekada. Demokratët kanë prirjen të mbështesin të drejtat e abortit. Republikanët kanë prirjen të jenë në kundërshtim. Ish-Presidenti Donald Trump, i cili premtoi të emëronte gjyqtarë që do të rrëzonin të drejtat e abortit, shtoi tre anëtarë të gjykatës që rritën shumicën konservatore të gjykatës në 6-3, duke i dhënë asaj mundësinë për të rrëzuar vendimin e marrë në çështjen Roe.

Presidenti Biden sinjalizoi se ai nuk mbështet thirrjet për të ndryshuar përbërjen e gjykatës dhe tha se nuk ishte i përgatitur të vendosë nëse Senati duhet të ndryshojë rregullat e tij për të mundësuar që një shumicë e thjeshtë të sanksionojë me ligj të drejtat e abortit. Demokratët aktualisht kontrollojnë Senatin 50-50, falë parashikimit procedurial që Nënpresidentja Kamala Harris mund të hedhë votën përcaktuese.

Presidenti Biden flet me gazetarët (3 maj 2022)
Presidenti Biden flet me gazetarët (3 maj 2022)

"Unë besoj se e drejta e një gruaje për të zgjedhur është themelore", tha Presidenti Biden në një deklaratë më herët të martën. "Roe ka qenë ligji i vendit për gati pesëdhjetë vjet dhe drejtësia themelore dhe stabiliteti i legjislacionit tonë kërkon që ai të mos përmbyset".

Presidenti Biden tha se ndërsa ligje më kufizuese të mbështetura nga republikanët për abortin janë miratuar në shtete të ndryshme dhe ndërsa pritet një vendim i Gjykatës së Lartë, ai ka udhëzuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të përgatisin opsione për një përgjigje të administratës ndaj rezultateve të ndryshme.

"Ne do të jemi gati kur të jepet ndonjë vendim", tha Presidenti Biden.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për çështjen e abortit të paraqitur nga shteti Misisipi, që pritet deri në fund të qershorit, mund t'i japë energji votuesve në të dyja kahet e çështjes për të marrë pjesë në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit, kur vendoset kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Demokratët kanë gjithashtu një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Nëse Gjykata e rrëzon (vendimin e marrë për çështjen) Roe, do të mbetet përgjegjësi e zyrtarëve të zgjedhur të vendit tonë në të gjitha nivelet e qeverisjes që të mbrojnë të drejtën e gruas për të zgjedhur. Dhe do të jetë në dorë të votuesve që të zgjedhin zyrtarët në favor të së drejtës së abortit këtë nëntor", tha Presidenti Biden në deklaratën e tij. "Në nivel federal, do të na duhen më shumë senatorë pro të drejtës për abort dhe një shumicë pro të drejtës për abort në Dhomën e Përfaqësuesve për të miratuar legjislacionin që kodifikon çështjen Roe, që unë do të punoj për ta miratuar dhe nënshkruar në fuqi".

Idenë e paraqitjes së një projekt-ligji që do të kodifikonte të drejtën e abortit, e konfirmoi të martën gjatë një konference për shtyp kreu i maxhorancës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Dokumenti i dalë në media thotë se shumica e anëtarëve të gjykatës janë gati ta rrëzojnë vendimin historik të marrë në vitin 1973 për çështjen “Roe kundër Wade”, që legalizoi abortin në mbarë Shtetet e Bashkuara. Vendimi pritet të merret përpara se gjykatësit të fillojnë pushimet e verës në fund të qershorit, ose në fillim të korrikut. Pra mund të duhet edhe një muaj tjetër, përpara se gjykata të publikojë opinionin e saj përfundimtar. Nëse gjykata vepron sipas dokumentit të rrjedhur, ajo do t’i jepte fund një vendimi të 50 viteve më parë. Gjithashtu publikimi paraprak do të prishte traditën për ruajtjen e konfidencialitetit në gjykatë.

Nga protestat gjatë mbrëmjes përpara godinës së Gjykatës së Lartë (3 maj 2022)
Nga protestat gjatë mbrëmjes përpara godinës së Gjykatës së Lartë (3 maj 2022)

Dokumenti i publikuar nga “Politico”, një organizatë lajmesh në internet, nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, por vëzhgues të gjykatës thonë se duket të jetë legjitim.

Juristë dhe persona të tjerë, që ndjekin nga afër gjykatën mbetën të befasuar. Neal Katyal, i cili ka mbrojtur me dhjetëra çështje në Gjykatën e Lartë dhe ka punuar si ndihmës ligjor për Gjykatësin Stephen Breyer, e krahasoi publikimin e këtij dokumenti me atë të vitit 1971 nga gazeta The New York Times që nxori sekretet e qeverisë për Luftën e Vietnamit. Ato njihen tashmë si Dokumentat e Pentagonit dhe e njohën në atë kohë publikun amerikan me informacionet e brendshme të qeverisë për përfshirjen amerikane në Vietnam gjatë periudhës 1945 - 1967.

“Kjo është ekuivalente me publikimin e dokumentave të Pentagonit, por tashmë në Gjykatën e Lartë. Jam i sigurtë se nuk ka patur ndonjëherë rrjedhje të tillë informacioni. Dhe me siguri jo gjatë viteve që unë kam ndjekur Gjykatën e Lartë”, shkruajti zoti Katyal në Twitter.

Pjesë e arsyes përse Gjykata e Lartë ka qenë historikisht imune nga rrjedhja e informacionit, është sepse vetëm një grusht njerëzish kanë qasje tek vendimet përpara se ato të publikohen. Në dijeni janë vetë gjykatësit dhe një numër i vogël personash që punojnë për ta. Ndihmësat e gjykatësve, përgjithësisht juristë të rinj që punojnë aty për një vit dhe që mund të kenë parë një dokument me opinionin e gjykatës, kanë firmosur duke u zotuar se do të ruajnë konfidencialitetin.

Ka patur rrjedhje informacioni të mëparshme, por jo të nivelit të dokumentit të publikuar nga Politico. Për shembull, në vitin 1973, David Beckwith njoftoi në revistën Time për vendimin që do të merrej për çështjen Roe kundër Wade përpara se gjykata të vendoste. Por, për shkak se revista botohej një herë në javë, zbulimi i tij u bë publik vetëm pak orë përpara se gjykata të shpallte vendimin.

Në fund të viteve 1970, gazetari Tim O’Brien i kanalit ABC pati disa zbulime të tilla për vendimet e gjykatës. Artikujt e tij i trondisnin dhe i shqetësonin gjykatësit, thuhet në një libër të Barret McGurn, i cili dikur punonte si zyrtar për informimin e publikut në Gjykatën e Lartë. Nuk është e qartë se ku e merrte informacionin zoti O’Brien, megjithëse Kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Lartë, Warren Burger, dyshonte se mund të ishte dikush në shtëpinë botuese të gjykatës që kishte qasje tek tekstet e vendimeve.

Nga protestat gjatë mbrëmjes përpara godinës së Gjykatës së Lartë (3 maj 2022)
Nga protestat gjatë mbrëmjes përpara godinës së Gjykatës së Lartë (3 maj 2022)

Është e paqartë se kush mund t’ja ketë dhënë dokumentin Politicos ose çfarë motivimi ka patur. Vetë Politico tha se “ka marrë një projekt-opinion nga një person në dijeni të procedurave të gjykatës... së bashku me detaje të tjera që mbështesin autenticitetin e dokumentit”.

Profesori i Universitetit të Xhorxhias, Jonathan Peters, i cili ka shkruar për rrjedhjet e informacionit nga gjykata, vë në dukje se çështja Roe nuk është çështja e vetme e rëndësishme për të cilën ka patur rrjedhje informacioni. Gazeta The New York Tribune ka publikuar p.sh. dokumentat e debateve të zhvilluara në gjykatë për çështjen Dred Scott të vitit 1857 që kishte vendosur se afrikano-amerikanët nuk mund të bëheshin nënshtetas.

“Rrjedhja e informacionit nga Gjykata e Lartë është e rrallë, por jo e paprecedentë”, shkruajti zoti Peters në vitin 2012. “Gjykata, ashtu si institucionet e tjera publike, është e përbërë nga persona me instikte politike. Nuk duhet të befasohemi kur veprojnë në këtë mënyrë”.

XS
SM
MD
LG