Lidhje

Kurti e Vuçiç në takim joformal të mërkurën në Berlin


Pamje nga takimi Kurti Vuçiç në verën e vitit 2021 në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të zhvillojnë të mërkurën në mbrëmje një takim joformal në Berlin, që do të ishte takimi i parë i tyre pas korrikut të vitit të kaluar.

Të dy udhëheqësit do të qëndrojnë në Berlin për takime të ndara me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Takimet do të përqendrohen në bashkërendimin e reagimeve të mëtejshme ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, marrëdhënieve politike dhe ekonomike si dhe bashkëpunimit rajonal”, shkroi ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde.

Takimet tha ai, do të shërbejnë gjithashtu për të mbështetur bisedimet Kosovë-Serbi të udhëhequra nga Bashkimi Evropian, duke nënvizuar se kancelari Scholz ka ftuar të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili do të jetë mikpritësi i takimit të përbashkët me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçin në mbrëmje në Berlin.

Zyrtarë të BE-së e konfirmuan takimin por pa dhënë ndonjë hollësi rreth planeve të ndërmjetësuesit Lajçak.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “ka frikë” nga vizita në Berlin dhe pret “bisedime të vështira” me kancelarin Scholz, ndërsa nuk pret ndonjë përparim në takimin e me kryeministrin e Kosovës.

Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për të siguruar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nga takimi i së mërkurës pret shtendosje që do të ndihmonte ripërtëritjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Në fillim të javës së kaluar, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha se normalizimi është rruga për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit dhe se “status quo-ja” jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por është përfitim për Kremlinin.

XS
SM
MD
LG