Lidhje

Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës, rreth 4 për qind gjatë këtij viti


World Bank
World Bank

Banka Botërore tha se rritja ekonomike e Kosovës do të ngadalësohet në vitin 2022 pas një periudhe rimëkëmbjeje të fortë pas pandemisë.

Ky përfundim është pjesë e raportit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin thuhet se ndikimet e zgjatura të trysnive të jashtme të kohëve të fundit, mund t’i përkeqësojnë më tej perspektivat ekonomike të Kosovës.

Rritja ekonomike në vitin 2022 sipas Bankës Botërore pritet të ngadalësohet në nivelin mes tre dhe katër për qind, nëse çmimet do të normalizohen gjatë gjysmës së dytë të këtij viti.

Sipas Bankës Botërore, investimet e vazhdueshme private, përshpejtimi i investimeve dhe konsumi publik pritet të jenë mbështetës të rritjes ndërsa pengesat strukturore, siç janë kapacitetet e vjetruara të prodhimit të energjisë, e shtojnë më tej pasigurinë ekonomike.

Banka Botërore i bëri thirrje Kosovës që urgjentisht të trajtojë kufizimet që lidhen me rritjen e prodhimit dhe investimet në kapitalin njerëzor, në mënyrë që të sigurojë rritje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse.

Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike e Kosovës të jetë rreth 4 për qind në periudhën afatmesme, mundësi kjo që megjithatë mbetet nën kërcënimin e rreziqeve të konsiderueshme nga jashtë dhe luftës në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG