Lidhje

Izraeli thotë se Putini kërkoi falje për deklaratën e ministrit të jashtëm rus

Jeruzalem - Kryeministri izraelit Naftali Bennet tha sot se presidenti rus Vladimir Putin i kërkoi falje për komentin e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov se Adolf Hitleri kishte origjinë hebreje.

Në një bisedë përmes telefonit zoti Putin i tha zotit Benett se Rusia do të lejonte kalimin e civilëve në fabrikën e rrethuar të çelikut “Azovstal” në qytetin port të Mariupolit, në një korridor humanitar të organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq.

Zyra e qeverisë izraelite kishte kërkuar kalimin e civilëve nga fabrika e çelikut, pas një bisede të mëparshme me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Izraeli kritikoi ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov këtë javë pas deklaratës së tij se Adolf Hitleri kishte rrënjë hebreje, duke i quajtur këto komente si një gënjeshtër të pafalshme rreth mizorive të nazistëve gjatë Holokaustit.

Sergei Lavrov i bëri këto komente të dielën kur u pyet se përse kishte thënë se Ukraina duhet të denazifikohet kur vetë presidenti Zelensky është hebre.

“Kur thonë se çfarë lloj nazismi është ky nëse jemi hebrenj, mua më vjen në mend se edhe Hitleri kishte origjinë hebreje, kështuqë kjo nuk do të thotë asgjë”, tha zoti Lavror për kanalin italian Rete 4.

Pas telefonatës me presidentin rus Putin, kryeministri izraelit Bennet tha se kishte pranuar ndjesën ndërsa falenderoi udhëheqësin rus për “sqarimin e qëndrimit të tij ndaj popullit hebre dhe kujtimeve të Holokaustit”.

Izraeli është përpjekur të mbajë marrëdhënie të mira me Kievin dhe Moskën, duke vepruar si ndërmjetës, megjithëse një zyrtar izraelit tha se zoti Bennet i kishte pezulluar ato përpjekje në fund të marsit për t’u marrë me një mori sulmesh arabe në rrugët e Izraelit.

Telefonatat e fundit e kryeministrit izraelit me presidentin rus Putin dhe atë ukrainas Zelensky, japin sinjale se mund të rifillojnë përpjekjet për ndërmjetësim.

XS
SM
MD
LG