Lidhje

Anketimi i IDM: Shqiptarët, të zhgënjyer dhe mosbesues ndaj partive politike


Në Tiranë, një anketim i Institutit për Demokraci dhe ndërmjetësim nxori se shqiptarët janë gjerësisht të zhgënjyer dhe mosbesues ndaj partive politike.

Sipas studimit, qytetarët mendojnë se deputetët njohin pak shqetësimet e tyre dhe se sistemi zgjedhor duhet reformuar.

Anketimi i IDM: Shqiptarët, të zhgënjyer dhe mosbesues ndaj partive politike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Pjesa më e madhe e të anketuarve janë të pakënaqur me funksionimin aktual të demokracisë shqiptare dhe shprehin hapur zhgënjimin nga partitë politike.

Kjo është një nga gjetjet kryesore në anketimin kombëtar “Shqipëria në Kuvendim”, publikuar këtë të premte nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Sipas anketimit, mbi 60 për qind e qytetarëve pohuan se janë pak dhe aspak të kënaqur me mënyrën se si po funksionon demokracia aktualisht në Shqipëri, dhe se ata i konsiderojnë partitë politike si institucionet më pak të besueshme në vend.

“Ka një zhgënjim të qytetarëve me sistemin politik në përgjithësi, që rikonfirmohet përsëri edhe sot, sepse ka qenë i pranishëm edhe në studime të mëparshme. Ka një zhgënjim edhe me proceset politike edhe me aktorët që mbizotërojnë këto procese, parti politike, qeveri, opozitë etj” - thotë Gjergj Vurmo, autor kryesor i anketimit.

Afro 70 për qind e të anketuarve nuk besojnë se parlamenti bën punët e duhura. Edhe pse marrin pjesë në zgjedhje, ata shprehën një interesim të ulët për politikën, por treguan një interes të lartë që të gjithë projektligjet duhen konsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit, pavarësisht nga kostot dhe kohëzgjatja e procesit.

Qytetarët shprehën një besim të ulët tek sistemi i tanishëm zgjedhor, i cili pohojnë se nuk pasqyron plotësisht vullnetin e tyre, ndaj kanë një skepticizëm të madh për deputetët dhe politikanët.

“Nga anketimi u vërtetua një mbështetje dhe mirëpritje, që qytetarët u japin formave të tjera alternative të sistemeve zgjedhore, si sistemi maxhoritar apo sistemi proporcional rajonal me lista plotësisht të hapura” - thotë Besjana Kuçi, bashkautore e studimit.

Votimi i Diasporës është një çështje e ndjeshme, temë e anketës, për realizimin konkret të të cilit, pohojnë autorët, nevojitet konsensus i gjerë politik.

Pjesa më e madhe e të anketuarve nuk dinë nëse diaspora ka ende të drejtën ligjore për të votuar në zgjedhje, por shumica e qytetarëve dëshirojnë që kjo e drejtë e diasporës të bëhet realitet dhe ata ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje.

“Realizimi ose jo i votimit të diasporës është thjesht çështje e vullnetit politik të partive kryesore. Votuesit nga diaspoa janë një trupë votuesish që nuk bien nën presione të ndryshme si vihen grupe votuesish brenda Shqipërisë. Ata janë një grup votuesish me aftësinë dhe kapacitetin që ta shkundin si tërmet sistemin politik në vend” - thotë zoti Vurmo.

Shqipëria është vendi me një nga diasporat më të mëdha në botë. Më shumë se një e treta e shtetasve të saj jetojnë në mënyrë të përhershme jashtë vendit.

Por edhe pse e kanë emrin në Regjistrin e Zgjedhësve, e vetmja mënyrë që të votojnë, është që të vijnë fizikisht në Shqipëri.

Emigrimi ka vazhduar dhe pritet të vazhdojë me ritme të larta, pohojnë studiuesit, por të anketuarit tregojnë mbështetje më të madhe, që të jepen paga më të larta për shqiptarët vendas, sesa që të importohen imigrantë të huaj.

Ndërkaq, një pjesë e vogël janë në dijeni se është miratuar një ligj për ndryshimet klimatike dhe shpreh mirëkuptim për këtë temë, ndërsa pjesa më e madhe janë më të ndjeshëm ndaj ndotjes së dukshme të mjedisit.

Nga anketimi doli se pjesa më e madhe e qytetarëve janë të hapur për të lexuar dhe dëgjuar opinione të kundërta dhe këndvështrime të ndryshme ndaj çështjeve politike, por më pak se gjysma e tyre është e hapur për të ndryshuar aspekte të bindjeve personale politike.

XS
SM
MD
LG