Lidhje

Presidenti i ri, Këshilli kombëtar i PD nxjerr jashtë loje grupin parlamentar


Në Shqipëri, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi të premten që në procesin e diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, të përfaqësohet me një grup, që do të caktohet nga Komisioni i Rithemelimit, institucioni i krijuar nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. Vendimi u mor në mbledhjen e parë të konstituimit të Këshilllit, të dalë nga Kuvendi i 30 prillit. Mbledhja u thirr me urgjencë, pasi në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të Shtetit, ishte përfshirë kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, të cilin Kuvendi e shkarkoi dhe nuk e njeh si të tillë. “Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë”, saktësohet në rezolutën e miratar nga Këshilli.

Ish kryeministri dhe mbështetësit e tij nuk kanë ende kontrollin e grupit parlamentar. 35 nga 52 deputetët demokratë refuzuan të merrnin pjesë në Kuvendin e 30 prillit, e po kaq nuk ishin as në mbledhjen e sotme. Megjithatë, një ditë më parë, edhe thirrjes së zotit Alibeaj për mbledhje të grupit për të diskutuar mbi çështjen e presidentit, ju përgjigjën vetëm 22 deputetë.

Zoti Alibeaj ka mbrojtur pozicionin se PD nuk duhet të qëndrojë jashtë procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Ai është sulmuar nga pjesa tjetër e PD-së që mbështet ish kryeministrin Berisha, duke e akuzuar se po bën lojën e shumicës “kundrejt ndonjë pazari të ri”. Siç vihet në dukje dhe në rezolutën e miratuar nga Këshilli, “mazhoranca socialiste po përpiqet të krijojë një proces parlamentar farsë dhe politikisht steril, duke u përpjekur t’i caktojë ajo përfaqësuesit e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Me këto përpjekje dhe konsultime pa përfaqësuesit e mandatuar nga forcat politike, mazhoranca socialiste po përpiqet të sajojë një dukje konsensualiteti të rremë”. Sipas PD-së, do të pranohej vetëm një proces në të cilin opozitës i ofrohet propozimi i kandidatëve “mbi kritere të përcaktuara me konsensus”.

Socialistët kanë deklaruar se bisedimet me opozitën do të zhvillohen vetëm në nivel grupesh parlamentare. Por rezoluta e miratuar nga Këshilli e nxjerr jashtë loje grupin e vet parlamentar, në një proces të mundshëm bisedimesh. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike dhe nenin 4 të Rregullores së Grupit Parlamentar, siguron zbatimin e qëndrimit politik të Partisë Demokratike të përcaktuar në këtë rezolutë. Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhur nga vendimet e organeve përfaqësuese të Partisë Demokratike, nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së Presidentit”, saktëson rezoluta.

Këshilli Kombëtar zgjodhi në mbrëmje dhe kryetarin e vet. Me shumicë votash, në krye të këtij institucioni do të jetë deputet Edi Paloka, i cili e ka drejtuar atë dhe më parë.

XS
SM
MD
LG