Lidhje

Borrell: Ballkani Perëndimor është oborri i BE-së


Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të mërkurën në mbrëmje se Ballkani Perëndimor mbetet përparësi strategjike e bllokut dhe është “politika e jashtme më e rëndësishme” për të.

Ai i bëri këto komente në fillim të një darke joformale me përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, për të diskutuar situatën në rajon pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Ballkani Perëndimor nuk është oborri ynë i pasmë, por oborri ynë, dhe ne dëshirojmë që të përballemi së bashku me veprimet përçarëse të Rusisë drejtpërdrejt në rajon përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike”, tha zoti Borrell.

"Lufta e fundit në Evropë ishte në Ballkan, tani është në Ukrainë dhe sot do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi ndikimin global dhe rajonal të kësaj lufte të (Vladimir) Putinit, një luftë jolegale kundër popullit ukrainas dhe kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha ai.

Zoti Borrell tha se ndër temat që do të diskutohen me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe veprimi në një linjë i tyre me Bashkimin Evropian.

“Unë do të përgëzoj partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor që janë plotësisht në linjë dhe që nga dita e parë me reagimin e Bashkimit Evropian ndaj agresionit rus kundër Ukrainës. Dhe do t’u bëj thirrje edhe të tjerëve ta bëjnë të njejtën. Shumica e tyre e kanë bërë dhe do t’ujanë bëj thirrje tjerëve që ta bëjnë”, tha ai.

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina mbetën dy vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Zoti Borrell shfaqi shqetësimet për situatën në Bosnje e Hercegovinë duke theksuar se “nuk ka hapësirë për cenimin e sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”. Ai tha se këtë do t’ia përmend udhëheqësit serb të Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.

Por, udhëheqësi i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik tha se kriza politike në këttë vend do të mund të zgjidhet përmes dialogut të brendshëm.

“Ne kemi probleme të mëdha politike brenda Bosnjës e Hercegovinës. Ne po përgatitemi për zgjedhje në të cilat nuk arritëm të zbatojmë reformën zgjedhore. Ekziston një pakënaqësi thelbësore për faktin se po rrezikohet kushtetutshmëria e njerëzve dhe të drejtat e tyre. Kemi përshtypjen se kemi të vendosur një të emëruar të Kombeve të Bashkuar të rrejshëm dhe kjo po e përkeqëson situatën dhe duhet që nëpërmjet dialogut politik në Bosnje e Hercegovinë të zgjidhen problemet me të cilat po përballemi”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se do të ketë diskutime të vështira për shkak të siç tha shumë çështjeve që janë shfaqur ndërkohë. Ai tha se ka dëgjuar paralajmërime që Kosova mund të aplikojë të enjtën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar kundërpërgjigje nga Serbia.

“Është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe për të destabilizuar Serbinë. Unë do të flas për këtë në mënyrë më të hollësishme më vonë, të presim se çfarë do të bëjnë ata. (Donika) Gërvalla ka paralajmëruar mundësinë e aplikimit në Këshillin e Evropës për nesër, të presim dhe të shohim. Nëse ata e bëjnë këtë, atëherë është e qartë se për ta nuk ekziston as marrëveshja e Brukselit, as marrëveshja e Uashingtonit, as Rezoluta 1244 dhe se do ta shfuqizojnë plotësisht rendin juridik ndërkombëtar. Do të jetë interesante të shihet se kush nga të gjithë ata që betohen se do të respektojnë të drejtën ndërkombëtare do të mbështesë diçka të tillë”, tha ai duke nënvizuar se Serbia do të përgjigjet seriozisht dhe me përgjegjësi.

Por, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk e përmendi çështjen e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ndërsa theksoi se pret që në darkën joformale të diskutohet rreth mundësive për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian. Ajo tha se Kosova ështët e gatshme për marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të vijë pikërisht këtu për të arritur një marrëveshje sepse dialogu asaj do t’i shërbej, arritjes së marrëveshjeve dhe jo takimeve të shpeshta pa rezultate, prandaj ditën e premte zëvendëskryeministri do të jetë këtu dhe do të shohim se çfarë rezultatesh do të kemi. Delegacioni i Kosovës është shumë i gatshëm për të sjellë rezultate në këtë proces të dialogut”, tha ajo.

Ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë pritet të taakohen të premtën në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG