Lidhje

Tiranë, bisedime të reja për zgjedhjen e presidentit


Në Shqipëri, socialistët zhvilluan sot bisedime me dy nga grupet parlamentare të opozitës për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Grupi i Partisë Demokratike shmangu takimin, duke iu drejtuar shumicës me një dokument mbi kriteret e zgjedhjes së kreut të shtetit. Dokumenti i firmosur nga kryetari i këtij grupi Enkelejd Alibeaj, nuk rezulton të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve demokratë, të përçarë në tre fraksione të brendshme, ku mbështetësit e ish kryeministrit Berisha, nuk e njohin zotin Alibeaj si drejtues të grupit. Votimi i parë për zgjedhjen e presidentit është parashikuar të hënën.

Shqipëri, bisedime të reja për zgjedhjen e presidentit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Ndërsa kanë mbetur vetëm 48 orë kohë për paraqitjen e kandidaturave për Kreun e Shtetit, ecuria e deritanishme e procesit vështirë se premton, që në seancën e të hënës, për votim të ketë ndonjë emër kandidati.

Takimet e zhvilluara sot mes përfaqësuesve së Partisë Socialiste dhe atyre të grupeve të vogla të opozitës, sa kanë shënuar hedhjen e hapave të parë.

“Ka ardhur koha të hymë në procesin e emrave konkretë. Këtë duan shqiptarët. Nuk mund të jetë proces i momentit të fundit. I ftoj të gjithë të jemi në përgjegjësinë tonë si deputetë, si forca politike, në mënyrë që t’i japim vërtetë, Shqipërisë dhe shqiptarëve, një president me prerogativat e kushtetutës, shprehje e unitetit të kombit”, deklaroi pas takimit Shpëtim Idrizi, deputet i grupit parlamentar “Demokraci dhe Integrim”.

Kryetari i shumicës në parlament, Taulant Balla nga ana e tij u shpreh për bisedime të frytshme

“Sot, më në fund, me të paktën me dy prej tre grupeve parlamentare kemi arritur të vendosim piketat e një procesi që unë besoj se mund të na çojë dhe do të na çojë drejt një presidenti sa më konsensual”, tha zoti Balla.

Por optimizmi i zotit Balla nuk duket të ketë shumë vend, përballë forcës më të madhe të opozitës, me një grup parlamentar në kaos. Kryetari i saj Enkelejd Alibeaj nuk u ul sot në takim me socialistët, por ju dërgoi atyre, një dokument me kritere, fryt i propozimeve të ardhura nga disa deputetë, ku kërkohet ndër të tjera që të jetë opozita ajo që të propozojë kandidatura.

“Në bazë të qëndrimit tonë politik, presim reagimin e tyre. Dhe në bazë të reagimit të tyre, do të kemi, publikisht, përsëri, një reagim tonin”, deklaroi zoti Alibeaj.

Përpjekja e tij për të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve për këtë dokument, dështoi javën që shkoi, ku ai nuk arriti të mblidhte shumicën e grupit . Afro 15 deputetë kanë zgjedhur të qëndrojnë në distancë si ndaj pjesës që qëndron me zotin Alibeaj, si ndaj kolegëve të tjerë që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha. Këta të fundit nuk e njohin zotin Alibeaj si drejtues të grupit. Komisioni i Rithemelimit ka caktuar dy negociatorë të tjerë, që po ashtu po zhvillojnë bisedime me pjesë të tjera të opozitës.

Në një situatë të tillë, dhe grupi tjetër parlamentar “Aleanca për ndryshim”, i përbërë kryesisht nga aleatë të demokratëve, është në dilemë. Kryetari i këtij grupi, Fatmir Mediu, u shpreh se së pari synohet arritja e një gjuhe të përbashkët brenda vetë opozitës.

“Ne kemi vendosur që propozimet t’i bëjmë brenda opozitës. Nëse do të ketë një vendimarrje tjetër, jashtë opozitës, nuk do të kemi asnjë lloj qëndrimi”, tha zoti Mediu.

Për momentin nuk është lënë asnjë takim tjetër për bisedime të reja mes palëve.

XS
SM
MD
LG