Lidhje

Prishtinë: Festivali Ndërkombëtar i letërsisë “Polip”


Festivali i Letërsisë "Polip"
Festivali i Letërsisë "Polip"

Në Kosovë po mbahet edicioni i 12-të i festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Temat e programit të këtij viti lidhen me luftën duke synuar kësisoj të shprehin mbështetjen për popullin e Ukrainës, pas agresionit rus atje.

Prishtinë, festivali ndërkombëtar i letërsisë "Polip"
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Shkrimtari danez, Carsten Jensen, në vitet e 90-ta erdhi nga Danimarka në shtetet e Ballkanit, prej nga raportonte si gazetar lufte.

Pas shumë vitesh, ai rikthehet në Ballkan, këtë radhë në Kosovë, për të debatuar për luftën dhe letërsinë, në kuadër të festivalit të letërsisë “Polip” që po mbahet në Prishtinë.

“Nuk mendoj se të shkruarit duhet të ndikohet vetëm nga ngjarjet aktuale, letërsia është për ekzistencën e njerëzimit dhe jo vetëm për politikën aktuale. Por unë mendoj se jemi në një pikë kthese në histori kur demokracia është e kërcënuar, Ukraina ka luftuar për demokracinë në 20 vitet e fundit, ndërsa Rusia tani po përpiqet të shtypë këtë demokraci. Prandaj është koha që Evropa të zgjohet dhe të kuptoj që duhet të luftojmë të gjithë për demokracinë”, thotë ai.

Zoti Jensen i tha Zërit të Amerikës se ai do të jap ndihmesën e tij në çfarëdo fushe për të mbështetur Ukrainën.

“Kemi shumë lëvizje ekstremiste të krahut të djathtë nëpër tërë Evropën që janë goxha haptazi mbështetëse të Rusisë, derisa Putini i mbështet ato me para. Prandaj mund të them se fitorja e Rusisë në Ukrainë do të mbështesë këto forca jo demokratike edhe më shumë në gjithë Evropën, duke përfshirë Ballkanin”, thotë ai.

Aurela Kadria nga qendra “Multimedia” e cila organizon këtë festival, thotë se tema e këtij viti është “shkrimtari është i pranishëm”, meqë për herë të parë pas fillimi të pandemisë së COVID-19 festivali mbahet me praninë fizike të pjesëmarrësve.

Por i tërë programi, sipas saj, lidhet me luftën duke synuar shprehjen e mbështetjes për Ukrainën.

“Kemi dashur të marrim një pozicion të qartë në mbështetje të popullit të Ukrainës dhe në kundërshtim të luftës atje, të pushtimit rus. Prandaj të gjitha temat që i kemi kuruar në kuadër të edicionit të këtij viti të festivalit, janë të tilla që në një mënyrë ose tjetër flasin për luftën dhe gjithçka që ajo sjell pas vetes”, tha ajo.

Daniel Gustavson, shkrimtar dhe përkthyes nga Suedia, i tha Zërit të Amerikës se shumë kolegë të tij nga Ukraina kanë vështirësi e pamundësi për të ushtruar profesionin e tyre.

“Natyrisht që është një katastrofë shumë e madhe njerëzore por edhe intelektuale, të shohim kaq shumë shkrimtarë, artistë ukrainas që detyrohen të lënë vendin e tyre. Disa prej tyre kanë ardhur edhe në Suedi, kemi artistë, kompani baleti e të tjerë që po qëndrojnë tash për tash në Suedi”, thotë zoti Gustavson.

Ai thotë se, ndonëse për fat të keq nëpërmjet luftës, shpreson që Ukraina të arrijë të çlirohet nga ndikimi rus në kulturë.

“Shpresoj që do të krijohen ura të reja ndërmjet Ukrainës dhe botës sepse deri tash ka patur shumë pak përkthyes të letërsisë ta zëmë nga gjuha ukrainase dhe përgjithësisht ka shumë pak njohuri për Ukrainën. Prandaj mendoj se ndryshimi i kësaj situate do të ishte një aspekt pozitiv që del nga kjo luftë”, thotë ai.

Festivali ndërkombëtar i letërsisë “Polip” mban edicionin e 12-të këtë vit. Në të po marrin pjesë rreth 30 autorë nga Kosova e rajoni, pastaj nga Sllovenia, Gjermania, Austria e të tjerë.

XS
SM
MD
LG