Lidhje

Prindërit amerikanë të shqetësuar nga mungesa e qumështit artificial për bebet


Në Shtetet e Bashkuara, një nga tre kompanitë që prodhojnë qumësht artificial për bebet ka ndaluar prodhimin, duke bërë që të shtohen mungesat e këtij artikulli të nevojshëm për bebet në treg. Mungesat duket se kanë të bëjnë me problemet e zinxhirit të furnizimit dhe faktorë të tjerë. Agjencia amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) thotë se po bën gjithçka të mundur për të siguruar furnizimet e duhura. Edhe Shtëpia e Bardhë thotë se po ndërmerr veprime për të zbutur krizën.

Prindërit amerikanë të shqetësuar nga mungesa e qumështit artificial për bebet
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Valerie Farnsworth është një nga nënat e shumta amerikane që tani po përballet me një mungesë të madhe të qumështit artificial për foshjet. Djali i saj 5 muajsh, Harrison, ka një alergji dhe nuk mund ta tolerojë qumështin e gjirit, kështu që ajo e ushqen atë me qumësht artificial.

“Jo vetëm që nuk gjendet, por kur e gjejmë, kushton 20% më shumë”.

Për më shumë se një vit, SHBA-ja ka vuajtur nga mungesa e qumështit artificial për foshnjet. Kriza është shkaktuar nga problemet në zinxhirin e furnizimit dhe u përkeqësua kur një nga tre kompanitë që prodhojnë ushqimin për bebet ndaloi operacionet dhe tërhoqi nga tregu produktet e saj.

Për momentin, dyqanet amerikane kanë 43% më pak se normalisht qumësht artificial për bebet, sipas kompanisë “Datasembly” e cila mbledh të dhëna për tregjet amerikane.

Situata ka bërë që prindërit të shkojnë nga një dyqan tek tjetri në kërkim të formulës për foshnjet. Jordan Beltran nuk kishte qumësht gjiri të mjaftueshëm për fëmijën e saj të parë dhe ka frikë se do të jetë e njëjta situatë për fëmijën e dytë.

“Po sikur të mos kem mjaft qumësht dhe të më duhet ai artificial? Dje shkova në dyqan dhe sapo pashë në raft qumësht artificial, mendova ta blija për të qenë e sigurt”, thotë zonja Beltran për Zërin e Amerikës.

Ekspertët thonë se nuk ka alternativë tjetër për foshnjet që ushqehen me të.

“Ndoshta duhet rivlerësuar nënkuptimi i infrastrukturës kritike. Për shembull, ne mbajmë rezerva strategjike nafte. Por a kemi rezerva strategjike të artikujve ushqimorë, si qumështit për foshnjat?”, shtron pyetjen Rudolph Leuschner, profesor i teorisë së zinxhirit të furnizimeve në Shkollën e Biznesit të Universitetit Rutgers.

Shtëpia e Bardhë thotë se ka qënë në kontakt me firmat prodhuese.

“Bashkëpunimi me firmat prodhuese ka rezultuar që firma Gerber të rrisë prodhimin me 50 për qind dhe Reckitt të rrisë prodhimin me 30% . Gjatë katër javëve të fundit është rritur më shumë prodhimi i qumështit për foshjat se sa ishte në katër javët e mëparshme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Mjekët po i paralajmërojnë prindërit që të mos përgatisin qumësht për bebet e tyre bazuar në recetat që i gjejnë në internet. Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Victoria Regan, mjeke pediatër në Spitalin e Fëmjëve Hermann Memorial.

“Nuk ka siguri se ajo që po blini është produkti i vërtetë. Ata mund të fusin gjëra të tjera në përmbajtje”.

Agjencia amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) thotë se do të njoftojë brenda pak ditësh se si prodhuesit e huaj mund të eksportojnë produket e tyre në Shtetet e Bashkuara. Amerika ka rregulla mjaft të rrepta për importin e ushqimeve për fëmijët.

XS
SM
MD
LG