Lidhje

Kosovë, shënohet dita botërore kundër homofobisë


Kosovë, shënohet dita botërore kundër homofobisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Kosovë, shënohet dita botërore kundër homofobisë

Në Kosovë organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, thonë se gjendja e tyre është përkeqësuar, ndërsa bëjnë thirrje për mbështetje më të madhe institucionale për këtë komunitet. Komentet u bënë gjatë shënimit të 17 majit, ditës ndërkombëtare kundër homofobisë.

Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Grupeve Sociale, i tha Zërit të Amerikës se përveç pasojave të pandemisë, pozitën e komunitetit LGBT e ka rënduar edhe gjuha e përdorur nga deputetët e parlamentit të Kosovës në seancën e 16 marsit të këtij viti, kur dështoi edhe miratimi i projekt Kodit Civil, i cili i hap rrugë rregullimit të martesave edhe ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

“Derisa deri tash kryesisht jemi përballur me gjuhë të urrejtjes të përdorur në media sociale nga qytetarë të zakonshëm që kanë komentuar dhe kanë përdorur gjuhë homofobike, transfobike, sivjet është edhe më shqetësuese situata sepse për herë të parë deputetët e parlamentit të Kosovës i kanë dhënë vetes të drejtë të ofendojnë, shajnë, denigrojnë dhe të përdorin gjuhë të urrejtjes dhe nxitjes e cila mund të eskalojë dhe qytetarët e zakonshëm mund ta pranojnë si mesazh për të sulmuar një grup të caktuar”, tha ai.

Zoti Nuhiu tha se duke marrë shkas nga kjo seancë, tema e konferencës për nder të kësaj dite mban emrin “LGBT dhe politika”. Sipas tij, partitë politike në Kosovë vazhdimisht i lënë anash çështjet e komunitetit LGBT duke mos i përfshirë aspak në programet e tyre.

“Partitë politike duhet të fillojnë diskutimin për këtë çështje, të nisin një debat të brendshëm, duke filluar nga lideri, udhëheqësia e partisë e tutje sepse nuk mund të jemi të izoluar në Evropë”, tha ai.

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, tha se gjuha e përdorur në parlament në muajin mars ishte thellësisht zhgënjyese duke nënvizuar se mënyra se si një shtet trajton komunitetet si LGBT është jetike.

“Kushtetuta e Kosovës është ndër të paktat në botë që garanton ndalim të qartë të diskriminimit të bazuar në orientim seksual, ndërsa i garanton secilit të drejtën për martesë dhe jetë familjare”, tha ajo.

Blert Morina, nga organizata CEL thotë se mungesa e mbështetjes dhe sigurisë po i detyron pjesëtarët e komunitetit LGBT të kërkojnë mundësi për t’u larguar nga Kosova.

“Tashmë e shohim sa është kërkesa e madhe e të rinjve për t’u larguar nga Kosova, posaçërisht personat që i takojnë komunitetit LGBT pikërisht për faktin se momentalisht atyre nuk u ofrohet as siguria më e vogël që kërkohet për të patur një mirëqenie të dinjitetshme dhe një siguri bazë”, tha ai.

Një raport i shoqërisë civile për të drejtat e njeriut për vitin 2021 i publikuar këtë muaj, nxori në pah se komuniteti LGBT është ndër më të cenuarit në Kosovë.

Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat tyre, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

XS
SM
MD
LG