Lidhje

Disa të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Austri


Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha të enjten se tetë persona janë plagosur nga pasojat e një aksidenti në Austri në të cilin ishte përfshirë një autobus me targa të Kosovës.

Sipas njoftimit të ministrisë, të plagosurit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Salzburgut.

“Pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital”, thuhet në njoftim.

Mediat në Austri ndërkaq raportuan për 19 të plagosur në aksidentin që ka ndodhur rreth orës tre të mëngjesit të së enjtes, “për shkaqe ende të panjohura”.

Sipas mediave austriake, autobusi në të cilin ndodheshin 28 udhëtarë, udhëtontë për në Gjermani.

Hermann Gerstgraser, komandant i njësisë së shpëtimit në zonën ku ka ndodhur aksidenti, i tha Agjencisë Austriake të Lajmeve, APA, se tre nga udhëtarët, që sipas policisë mund të jenë të gjithë nga Kosova, janë të plagosur rëndë, ndërsa 16 janë më plagë të lehta.

"Për nëntë personat e padëmtuar po përkujdeset ekipi për ndërhyrje në kriza në selinë tonë qendrore në qytet. Në autobus ndodhej vetëm një fëmijë dhe ai ka shpëtuar pa lëndime”, raportohet të ketë thënë zoti Gerstgraser.

Në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se hollësi të tjera do të bëhen të ditura pasi të merren informata shtesë zyrtare nga autoritetet policore dhe shëndetësore në Salzburg.

XS
SM
MD
LG