Një studim i publikuar nga organizata joqeveritare “Aktiv” me seli në Mitrovicën e Veriut, thekson se mungesa e vullnetit politik në Kosovë po vështirëson zbatimin e përdorimit të gjuhës serbe si gjuhë zyrtare në shumicën e institucioneve të Kosovës.
Studimi me titullin “Rekomandime për kuadrin e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, thekson se institucionet e Kosovës dhe shërbimet tjera private nuk e zbatojnë në tërësi ligjin për gjuhët zyrtare.
“Mungesa e vullnetit politik për zbatimin e plotë të ligjit në kombinim me një masë të caktuar të rezistencës së heshtur të komunitetit shumicë për ta trajtuar gjuhën serbe në mënyrë të barabartë në Kosovë, sikurse gjuhën shqipe, në fakt cenon mundësinë politike që të gjithë të kenë të drejta të barabarta dhe mundësi të barabarta dhe hap derën e diskriminimit”, tha Nenad Taliç, autor i studimit.
Në studim theksohet se në Kosovë e drejta e përdorimit të gjuhës është një kategori kushtetuese dhe se sipas legjislacionit gjuhë zyrtare në Kosovë janë gjuha shqipe dhe ajo serbe.
Nenad Taliç thotë se kjo nënkupton që të gjitha fjalimet publike, paraqitjet publike si dhe institucionet publike duhet ta trajtojnë gjuhën serbe të barabartë me atë shqipe.
“Mund të përfundojmë se të gjithë qytetarët në Kosovë janë të barabartë por jo të gjithë gëzojnë të njëjtat të drejta, varësisht nga gjuha që flasin. Kështu që kjo duhet të ndalet nëse ne përpiqemi të krijojmë një shoqëri demokratike dhe të hapur që garanton mundësi të barabarta dhe gëzimin e të drejtave të barabarta pavarësisht nga gjuha që flisni”, tha ai duke nënvizuar se institucionet qendrore kanë shprehur vullnet për të përmirësuar këtë gjendje.
Sipas raportit, në Kosovë, ka shembuj të shumtë të shkeljeve të të drejtave të garantuara gjuhësore dhe si rezultat, individët dhe komunitetet joshumicë përballen me vështirësi të ndryshme dhe vuajnë pasoja serioze kur përpiqen të realizojnë të drejtat e tyre.
Drejtori i organizatës Aktiv, Miodrag Miliçeviç, thotë se shkeljet në zbatimin e ligjit të gjuhëve ndodhin çdo ditë dhe në çdo vend.
“Kemi shembuj të përditshëm në praktikë që të drejtat gjuhësore shkelen në të gjitha nivelet dhe pa pasoja ndaj këtyre shkeljeve, mirëpo nuk është ky i vetmi problem i madh, problem është që edhe ata që janë të detyruar të ofrojnë informacione me rëndësi publike për njerëzit që flasin serbisht nuk e bëjnë, siç e dimë gjuha serbe është gjuha e dytë zyrtare në Kosovë”, tha ai.
Në këtë studim bëhet thirrje që të vendoset një mekanizëm për ndëshkimin e institucioneve për mosrespektim të ligjit për përdorimin e gjuhëve, punësimin e përkthyesve shtesë, krijimin e një mekanizmi institucional për kontrollin e përkthimeve dhe krijimin e kurseve për përkthyes, në mënyrë që të përmirësohet gjendja në këtë fushë.